LDK kujtoi Enver Malokun, në 18 vjetorin e vrasjes së tij

Prishtinë, 11 janar 2017 – Sot janë bërë 18 vjet nga vrasja e gazetarit Enver Maloku, ish-shefit të Qendrës për informim të Kosovës, dhe njërit ndër bashkëpunëtorët e afërt të ish-Presidentit të Republikës së kosovës, Ibrahim Rugova.

Me këtë rast, kryetari i LDK-së, Kryeministri Isa Mustafa, bashkë me anëtarë të kryesisë e të strukturave tjera të LDK-së, kanë bërë homazhe dhe kanë vënë lule te lapidari i Enver Malokut, në Prishtinë.

Mustafa e vlerësoi Malokun si njërën prej figurave më të rëndësishme të përpjekjeve të  shqiptarëve për lirinë e Kosovës, në dekadën e fundit të shekullit XX.

‘’Sot jemi këtu me veprimtarët e LDK-së, me familjen e Enver Malokut, me bashkëveprimtarët e tij, të cilët bënë homazhe për të përkujtuar veprën e tij shumë të madhe. Një veprimtar shumë i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës , njeri i cili në errësirën më të madhe të informimit depërtoi dhe dha kontributin e vet shumë të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, për popullin e Kosovës. Ne mendojmë se ai është një prej figurave shumë të rëndësishme të shqiptarëve në Kosovë dhe jo vetëm të LDK-së, sepse kontribuoi edhe për çlirimin dhe pavarësinë e vendit”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka thënë se Enver Maloku është vrarë nga “ata që nuk e deshën këtë liri dhe pavarësi”. Ai e ka quajtur “detyrë” nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të vrasjes së Enver Malokut dhe të gjithë veprimtarëve të LDK-së.

Enver Maloku ishte udhëheqës i Qendrës për Informim në Kosovë, e cila gjatë viteve nëntëdhjeta shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve. Ai u vra më 11 janar të vitit 1999, në kohë lufte, afër banesës së tij në Prishtinë, nga persona ende të panjohur për drejtësinë kosovare. (r.m.) homazhe-per-enver-malokun-1

Comment

*