LDK i kundërvihet Thaçit: Ushtria duhet të bëhet mbi baza kushtetuese

Prishtinë, 10 mars 2017 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka shprehur qëndrimin e saj që Ushtria e Kosovës të krijohet përmes ndryshimeve kushtetuese e në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe NATO-n”.

“Themelimi i Forcave të Armatosura, përkatësisht Ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet mbi baza parimore, kushtetuese, si e drejtë legjitime e një shteti sovran, si forcë gjithëpërfshirëse multietnike në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe NATO-n”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra për Informim e LDK-së.

Kështu, LDK i kundërvihet i Presidentit të vendit Hashim Thaçi, i cili ka sponsorizuar Projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.

LDK i hedh poshtë edhe deklaratat se Ushtria e Kosovës nuk është krijuar deri tashti për faj të udhëheqjes së kësaj partie, e cila e ka kundërshtuar që komuniteteve joshumicë t’u vazhdohen vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës. LDK e quan këtë si manipulim me opinionin dhe shpjegon se vazhdimi i madateve të rezervuara për komunitetet pakicë nuk do të siguronte votën e deputetëve të këtyre komuniteteve për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Ky është reagimi i plotë i LDK-së:

 

Po manipulohet rëndë se ishte LDK-ja e cila pengoi që të themelohet Forca e Armatosur e Kosovës, sepse kundërshtoi vendet e rezervuara në Parlament për komunitetet joshumicë si kusht për votimin e ndryshimeve kushtetuese nga deputetët serbë. Një kusht i tillë nuk ka ekzistuar kurrë!  

Vet deputetët serbë në fund të vitit 2013 dhe në fillim të vitit 2014 deklaroheshin se nuk i votojnë këto ndryshime kushtetuese. Për të qenë të qartë me ata që na akuzojnë, dëshirojmë të shtojmë se sikur edhe sot të shtrohej si kusht zgjatja e mandatit për vende të rezervuara me themelimin e FAK-ut, LDK-ja nuk do të pranonte. Atëherë LDK e ka kundërshtuar fort zgjatjen e vendeve të rezervuara. Arsyeja ka qenë se përfaqësuesit e komunitetit joshumicë kishin konsumuar të drejtën e tyre kushtetuese, sipas Pakos së Ahtisarit dhe duhet të kalonin vetëm në vende të garantuara.

Me të drejtën e vendeve të rezervuara, komunitetet do të kishin rreth ose mbi 30 deputetë në Parlament, në krahasim me 20 sa i kanë si vende të garantuara. Kushti se atyre do t’u zgjatej kjo e drejtë vetëm edhe për një mandat (kishte nga përfaqësuesit e partive politike shqiptare që ishin zemërgjerë dhe thoshin së paku edhe për dy mandate), ishte i pasinqertë ndaj opinionit, sepse marrja e kësaj të drejte pas një apo dy mandateve kërkonte votën e dyfishtë të 2/3 të deputetëve, të cilën nuk do ta arrinin në asnjë moment, pasi që pakicat nuk do të votonin që t’ia privojnë vetes një të drejtë kushtetuese, pa marrë parasysh marrëveshjen formale.

Përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë i’u kemi siguruar diskriminim pozitiv, duke pasur parasysh se ata kanë përfaqësimin në Kuvend prej rreth 17%, karshi pjesëmarrjes prej 10% në strukturën e popullsisë së Kosovës. Me rreth 30 vende sa do të arrinin me vende të rezervuara ata do të kishin pjesëmarrjen e tyre në Kuvend prej 25%.

Prandaj, me asnjë të drejtë nuk mund të trumbetohet sot se ne do të duhej të rrudhnim vendet e deputetëve shqiptarë në Kuvend për të rritur ato të përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë, për të bërë pazar për Forcat e Armatosura të Kosovës. Themelimi i Forcave të Armatosura, përkatësisht Ushtrisë së Kosovës duhet të bëhet mbi baza parimore, kushtetuese, si e drejtë legjitime e një shteti sovran, si forcë gjithëpërfshirëse multietnike në bashkëpunim me partnerët tanë strategjik, SHBA-të dhe NATO-n.

Zyra për informim – LDK

(r.m.)

Comment

*