LDK nuk pranon që Thaçi t’i udhëheqë bisedimet me Serbinë

Prishtinë, 4 qershor 2018 – LDK-ja nuk do ta përkrahë në Kuvend platformën e Qeverisë për dialogun me Serbinë, e cila e autorizon Presidentin Hashim Thaçi ta udhëheqë ekipin negociator të Kosovës në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Në një komunikatë për media, LDK-ja theksoi se dokumenti i propozuar nga ekzekutivi është joserioz dhe me pretendime jokushtetuese.

“Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz dhe me pretendime jokushtetuese. Rrjedhimisht, Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës nuk do ta votojë platformën në fjalë”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

“LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje në komunikatë.

“LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Qëndrim të njëjtë me LDK-së lidhur me platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë kanë shprehur edhe dy partitë tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, si edhe Nisma, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar.

Të gjitha këto subjekte politike e konsiderojnë presidentin Thaçi të padenjë për të udhëhequr ekipin e Kosovës në dialogun me Serbinë.

Ditëve të fundit, Thaçi ka deklaruar se Kosova “është gati për kompromis” me Serbinë, gjë që e ka forcuar edhe më shumë bllokun që kundërshton rolin drejtues të tij në dialogun me Serbinë. (r.m.)

Comment

*