LDK paralajmëron mocion për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Prishtinë, 6 prill 2018 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar inicimin e ngritjes së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi vlerëson se koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvend, pas kalimit të Listës Serbe në opozitë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një konferencë për media, ka thënë se qeveria Haradinaj duhet të japë vetë dorëheqje.

“Më çudisin disa deklarata kur po thonë se qeveria është stabile. Duhet të dalin dhe të japin dorëheqje”, ka thënë Hoti, duke iu referuar deklaratave të kryeministrit Haradinaj  dhe kabinetit qeveritar.

“Me daljen e Listës Serbe ka mbetur qeveri e pakicës. Është më se e qartë se kjo s’mund të vazhdojë më tutje”, ka thënë  Hoti.

Ai ka theksuar se në rast se Haradinaj dhe qeveria e tij nuk japin vetë dorëheqje, LDK do të marrë nismën e ngritjes së mocionit të mosbesimit.

“Ne kemi ofruar propozimin tonë për një tryezë të përbashkët, për ta caktuar datën e zgjedhjeve. Nëse kjo nuk ndodh, jemi të obliguar ta çojmë përpara mocionin e mosbesimit. LDK është e gatshme”, është shprehur Hoti.

Të enjten, LDK-ja i ka mbledhur kryetarët e degëve të saj, ku është përkrahur qëndrimi për inicimin e procesit të rrëzimit të qeverisë dhe dërgimit të vendit në zgjedhje të parakohshme. (r.m.)

Comment

*