LDK: Përpjekja për zhbërjen e Speciales – tepër e rrezikshme për Kosovën

Prishtinë, 22 dhjetor 2017 – Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson tepër të rrezikshme përpjekjen për shfuqizimin e Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një deklaratë të LDK-së, të cilën e ka lexuar para gazetarëve Kujtim Shala, nënkryetar i Kuvendit të kosovës, ka thënë se kjo tendencë “është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme”.

Në deklaratën e LDK-së thuhet:

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Kosova nuk ndodhet në asnjë situatë të re e të parashikuar. Hapat e nxituar mund të prodhojnë situata të reja që do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Tendenca për të shfuqizuar Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tepër e rrezikshme dhe e fut vendin në aventura të paparashikueshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se të gjitha çështjet e, sidomos çështjet me rëndësi jetike për ekzistencën e vendit, duhet të trajtohen me maturi e pa nxitim.

Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh si jetike për vendin tonë ruajtjen e raporteve dhe të miqësisë me SHBA-të, me vendet e BE-së, NATO-n dhe vendet e tjera mike.

Kosova është vendi dhe shteti ynë, që e kemi ndërtuar bashkë me miqtë tanë dhe së bashku do të ecim në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Lidhja Demokratike e Kosovës fton subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Kosovës që të reflektojnë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekti që ka themeluar dhe ndërtuar shtetin e Kosovës, në asnjë rast nuk do të jetë pjesë e veprimeve të pamatura dhe nuk do të lejojë që fati i qytetarëve dhe i vendit tonë të futet në rrugë të paqarta. (r.m.)

Comment

*