LDK synon ta formojë qeverinë brenda tri ditësh

Prishtinë, 29 maj 2020 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) bëri të ditur se synon që qeverinë e re të formojë brenda tri ditësh, e ndoshta edhe të shtunën.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka më asnjë pengesë për thirrjen e seancës për votimin e qeverisë që do të drejtohet nga Avdullah Hoti.

“Ka konsultime lidhur me thirrjen e seancës së kuvendit. Tani do të shohim edhe me kryetarin e grupit tonë parlamentar dhe me kandidatin për kryeministër se kur do të thirret mbledhja e Kuvendit, por edhe me partnerët tanë, AAK-në, Nismën e të tjerët”, deklaroi Mustafa.

Kreu i LDK-së tha se ekziston mundësia që qeveria të votohet edhe të shtunën.

“Në qoftë se është gjithçka në rregull sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në pikëpamje të hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, atëherë unë mendoj që nuk ka asnjë arsye të pritjet më shumë që të mbahet nesër. Nëse procedurat e aktgjykimit kërkojnë që afati të shtyhet, atëherë do ta respektojmë edhe atë”, tha Mustafa.

Duke komentuar kundërshtimin e Gjykatës Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, ai tha se edhe kjo parti duhet të respektojë vendimin, pasi, sipas tij, gjithçka është bërë në “frymë kushtetuese“.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se ai ka pasur një takim konsultativ me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani. Gashi tha se zonja Osmani do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vjosa Osmani është kryetare e Kuvendit dhe, po ashtu, është juriste e përgjegjshme dhe një figurë e rëndësishme politike në Kosovës dhe e respekton vendimin e Gjykatës”, deklaroi Gashi.

(r.m.)

Comment

*