LDK: Thaçi po e dëmton pozicionin ndërkombëtar të Kosovës

Prishtinë, 2 korrik 2018 – Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Avdullah Hoti, e ka kritikuar Presidentin Hashim Thaçi për krahasimin e Kosovës me Palestinën. Ai ka thënë se ky krahasim është shumë i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti në një postim në Facebook.

Hoti e ka akuzuar Thaçin se “i hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë” së Kosovës dhe i ka bërë thirrje Kuvendit që të mos lejojnë që ekipi i Kosovës në dialogun me Serbinë të udhëhiqet nga Thaçi.

“Është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend,  urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë i Hotit:

Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, ka marrë pjesë në takimin e parë. Ai i hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues dhe secili krahasim me shtetësinë e Palestinës përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Prandaj, është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit.

(r.m.)

Comment

*