LDK vlerëson se Kosova po kalon një situatë të vështirë, bën thirrje për unitet

Prishtinë, 5 nëntor 2020 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se Kosova po kalon një situatë të vështirë institucionale pas dorëheqjes së Hahim Thaçit nga pozita e Presidentit të vendit dhe konfirmimi i aktakuzës së Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqit, të gjithë ish-drejtues të Ushtrisë Çlirtimtare të Kosovës.

LDK thekson se kjo situatë “duhet të përballohet me qetësi dhe maturi“ dhe kërkon unifikim të skenës politike për marrjen e “vendimeve të përgjegjshme politike dhe institucionale“.

LDK beson në pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që insitucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm“, thuhet në komunikatë.

https://www.facebook.com/LDKzyrtare/posts/2630179900626603

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e pranoi sot zyrtarisht detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga pozita e Presidentit të Kosovës.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën kundër Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, kryetarit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovë, Jakup Krasniqit.

Thaçi, Veseli dhe Selimi janë transferuar sot për në Hagë, ku e ka selinë Gjykata Speciale, ndërsa Krasniqi është transferuar atje një ditë më parë.

Dhomat e Specializuara më 24 prill njofuan se Thaçi dhe Veseli dhe të tjerët, akuzohen për një sërë krimesh të pretenduara kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Sipas Zyrës së Prokurorit, ata janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, prej janarit të vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

(r.m.)

Comment

*