Le Radical (1924) / Vrasja e katër turistëve amerikanë në Shqipëri

Një ngjarje e rëndë për të cilën qeveria shqiptare reagoi me ashpërsinë më të madhe ndaj vrasësve

 

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 31 Mars 2019

Gazeta franceze “Le Radical” ka botuar, të premten e 11 prillit dhe të shtunën e 19 prillit 1924, në ballinë, dy shkrime në lidhje me vrasjen e katër turistëve amerikanë në Shqipëri, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar:

Le Radical, ballinë, e premte, 11 prill 1924

Vrasja e dy amerikanëve

 Xhandarmeria shqiptare vret tre nga vrasësit dhe plagos të katërtin.

 

Londër, 10 prill.

Një mesazh nga Tirana njofton se xhandarmëria shqiptare ka hyrë në kontakt me gjashtë nga vrasësit e dy amerikanëve, Zotërinjtë George Bowen de Long, nga New York-u, dhe Robert-Louis Coloman.

Pas një lufte të ashpër, tre nga vrasësit u vranë dhe një i katërt u plagos.

Gjendja e shtetrrethimit është shpallur në zonën në të cilën supozohet të jenë strehuar banditët.

Qeveria është e vendosur të vazhdojë të veprojë me ashpërsinë më të madhe për të kapur banditët, të gjallë ose të vdekur.

Le Radical, ballinë, e shtunë, 19 prill 1924 – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Dy amerikanë të vrarë afër Tiranës nga banditët shqiptarë

 

Korrespondenti i “Chicago Tribune” shkruan nga Athina :

 

Sipas një shkrese të marrë nga autoriteti ushtarak grek i Epirit drejtuar ministrit grek të luftës, trupat e dy amerikanëve të vrarë nga banditët shqiptarë u gjetën një ditë më parë në zonat e pyllëzuara pranë qytetit të Tiranës.

 

Kjo vrasje e re, nëse konfirmohet, do të sjellë në katër numrin e viktimave amerikane nga banditët shqiptarë. Kujtojmë se dy amerikanë të tjerë të pasur u vranë në të njëjtin rajon pak javë më parë.

 

Sipas kësaj shkrese, njerëzit e vrarë një ditë më parë ishin turistë amerikanë të bashkangjitur suitës së z. Pierpont Morgan. Vrasja u krye nga një bandë prej pesëmbëdhjetë burrave që u ngritën kurth amerikanëve.

 

Ky krim i ri kundër shtetasve amerikanë ka shkaktuar zemërim në qarqet zyrtare shqiptare.

 

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-radical-1924-vrasja-e-kater-turisteve-amerikane-ne-shqiperi-nje-ngjarje-e-rende-per-te-cilen-qeveria-shqiptare-reagoi-me-ashpersine-me-te-madhe-ndaj-vrasesve/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

 

Comment

*