Lekaj: Kundërshtimi i qytetarëve i ka hequr dilemat rreth demarkacionit

Prishtinë, 4 mars 2017 – Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i është përgjigjur kryeministrit Isa Mustafa, i cili u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta miratojnë Demarkacionin me Malin e Zi.

Lekaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se janë protestat e shumta dhe nënshkrimet e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës kundër demarkacionit që “e kanë hequr çdo dilemë”.

Ai ka thënë se kundërshtimi i Marrëveshjes së Demarkacionit do të vazhdojë edhe më tutje.

Postimi i plotë Lekajt:

“Kryeministër e pate rastin, por zgjodhe të kundërtën e asaj që Kosova ka nevojë.

Ashtu siç po thuhet se “Mogherini hoqi çdo dilemë” (për demarkacionin), nga disa dashakeqës të Kosovës që si prioritet të vetëm e kanë shpëtimin e vetvetes. Edhe protestat e shumta e nënshkrimet e mbi 200 mijë qytetarëve të Kosovës kundër demarkacionit e kanë hequr çdo dilemë se qeveria e Kosovës e komisionet e saj të njëpasnjëshme mision të vetëm e kanë patur cenimin e integritetit territorial dhe prandaj nuk heqim dorë nga e drejta jonë për ta mbrojtur tokën e Kosovës dhe bindja jonë e faktuar është se versioni i tanishëm është i dëmshëm.

Kundërshtimi do të vazhdojë…

Kosova e trojet shqiptare kanë pësuar mjaftë.

Është koha e ndryshimit të mentalitetit qeverisës për Kosovën, sa ma parë të ndodhë kjo aq ma e lehtë do të bëhet mbrojtja e vendit”.

(r.m.)

Comment

*