Lekë Gojçaj, iku patrioti që mishëronte të gjitha virtytet e shqiptarit

Lekë Gojçaj, një shqiptar i shquar patriot ndërroi jetë në SHBA. Ai mbeti gjithë jetën i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare sidomos për kauzën e pavarësisë së Kosovës.

Mirëpo do të mbahet mend më shumë për financimin e ngritjes së statujave të Nënë Terezës në mbarë trojet shqiptare si dhe këtu në SHBA.

Mirëpriti me bujari shumë personalitete të politikës dhe kulturës nga atdheu, por krijoi veçanërisht miqësi me Presidentin Ibrahim Rugova. Udhëheqësi i Kosovës qendroi shepsh në shtëpinë e tyre. Në varrimin e Presidentit, në janar 2005, arkivoli me trupin e tij ishte porositur dhe paguar nga vëllezërit Lekë e Pashko Gojçaj. 

“Lekë Gojçaj mishëronte të gjitha tiparet e shqiptarit”, tha për të miku i tij Vehbi Bajrami botues i gazetës “Illyria, në New York. “Ishte bujar e mikpritës, humanist por edhe i palëkundur për traditat e zakonet tona. Ishte i përkushtuar pas familjes, besimtar i devotshëm, por që mbante atdheun mbi gjithshka. Ikja e tij ishte një humbje për komunitetin por Leka do të mbahet mend se la pas statujat e Nënë Terezës”.

Lekë Gojçaj ka përshkruar jetën e tij në librin “Shtatoret e Përjetësisë Nënë Terezës”. Ai ishte që nga themelimi një mik e mbështetës i gazetës “Illyria”.

Për ta kujtuar po ribotojmë një shkrim të botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, marrë nga libri i tij “Shqiptarët e Amerikës”.

 

Kush beson në fe, beson dhe në atdhe

Me Lekë e Pashko Gojçajn, bisedë për veprimtarinë e tyre fetare e kombëtare, për bamirësinë, për përmendoren e parë në botë të Nënë Terezës që e kanë ngritur në Tuz, New York dhe Prishtinë…

 

Nga Vehbi Bajrami

 

NEW YORK

Nga e majta në të djathtë, Pashko Gojçaj, At Anton Kçira dhe Lekë Gojçaj, në ceremoninë e Lumturimit të Nënë Terezës në Vatikan, 2004.

Në Amerikë, rrallë gjen familje shqiptare që t’i ketë mbetur aq besnike traditave tona, sa ç’është familja e vëllezërve Lekë e Pashko Gojçaj. Ata erdhën në kontinentin e ri më 1968, punuan e krijuan mirëqenie materiale, por mbetën çfarë ishin në vatrën e tyre të vjetër: të thjeshtë, të sinqertë, zemërbardhë, derëçelur dhe besnikë të traditave të shtëpisë së tyre të madhe në Hot të Malësisë së Madhe. Të dy jetojnë në një shtëpi luksoze në periferi të New York-ut, me familjet dhe nënën e tyre Katrinën, e cila i rriti tre fëmijët që i mbetën pa baba qysh në moshë të re.

Kur i pyet malësorët e ardhur në SHBA se kush prej anës së tyre ka qenë më i suksesshëm në biznes në përgjithësi, të përmendin pikërisht Gojçajt që kanë së bashku në pronësi katër ndërtesa të mëdha në Bronx.

Por, vëllezërit Gojçaj janë të njohur edhe për përkushtimin e tyre fetar e atdhetar.

Pakkush sot në Amerikë e ka ndihmuar aq shumë kishën katolike si ata. Vetëm ata kanë dhënë qindra mijëra dollarë për kishat katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale të New York-ut, “Shën Pali” në Michigan e për disa të tjera në Malësi, Shqipëri e Kosovë.

– Kush beson në Zot, beson në atdhe. Besimtari i mirë është dhe atdhetar i mirë, – thotë Lekë Gojçaj.

– Gjithë shqiptarët duhet të jenë të bashkuar si anëtarët e një familjeje, – shton ai.

Në fillim të viteve 70-të të shekullit të kaluar, famullia e Kishës Katolike “Zoja e Këshillit të Mirë”, e themeluar nga dom Zef Oroshi, u nda në dy pjesë. Kjo gjë jo vetëm që nuk i pëlqeu Lekës, por edhe e shqetësoi shumë. Ai donte një famulli të vetme e të bashkuar dhe filloi përpjekjet për ta realizuar këtë. Ideja e tij gjeti mirëkuptim te dy famullitë dhe, më 1989, dy kishat katolike  ”Zoja e Këshillit të Mirë” dhe “Shën Pjetri dhe Shën Pali” u bashkuan në një famulli të vetme me emrin “Zoja e Shkodrës”. Lekë Gojçaj u zgjodh kryetar i këshillit të dy famullive të bashkuara.

Portreti prej bamirësi i këtyre vëllezërve ka dhe dimensione të tjera. Ata kanë ndihmuar edhe të vobektit në vendlindje, ndërtimin e shkollave e rrugëve në Malësi, si dhe refugjatët e Kosovës që i strehuan në shtëpinë e tyre të bukur në Hot, kur populli martir u dëbua më 1999. Për të gjithë shqiptarët e dëbuar, që u vendosën në Malësi, për një muaj hoqën për ta gjithë shpenzimet e bukës.  Ata materialisht mbështetën shoqatat e komunitetit, kongresistët e senatorët që kanë ngritur zërin për Kosovën në fushatat e tyre elektorale e kështu me radhë.

“Ata i janë bashkuar çdo aksioni për vendlindjen”, shkruante për ta Zenun Çelaj në gazetën “Rilindja” më 1988.

-Gojçajt njihen si njëri ndër fiset më patriote të Malësisë së Madhe, – më  thotë Prelë Sinishtaj. Ai përmend xhaxhanë e tyre, Lukë Dedë Gojçajn, i pari i familjes, e cila dikur numëronte mbi 60 anëtarë. – Luka ka qenë burrë me nam në Malësi. Jo rastësisht pushteti malazez, pas Luftës së Dytë Botërore, i konfiskoi gjithë pasurinë, siç vepronte zakonisht me familjet në zë.

Familjen Gojçaj në Malësi e njohin edhe si “familja e Lulash Hasit”, duke iu referuar të parit të tyre në kohë të hershme, që shquhej po ashtu për bujarinë e tij të spikatur.

 

* * *

Me Ibrahim Rugovën dhe veprimtarët shqiptaro-amerikanë, përpara statujës së në Nënë Terezës, në Prishtinë të sponsorizuar me nismën e vëllezërve Lekë e Pashko Gojçaj.

Kush ka qenë në zyrat e tyre në Bronx, ka lënë mendjen. Mjediset e tyre ngjajnë me një galeri.  Nuk do ta tepronim po të thoshim se në muret e këtyre zyrave gjallon gjithë historia e kombit. Nëpërmjet pikturave e fotografive të ekspozuara bukur e me shije, vizitori ka rastin të njihet me figurat tona më të shquara. Mbi të gjitha, qysh në hyrje, të bie në sy një pikturë e madhe e Nënë Terezës. Një shtatore e vogël e nobelistes – shenjtëreshë ndodhet edhe në tavolinën e punës.

Nënë Tereza, ky engjëll, të cilin, siç do të thoshte poeti Agim Shehu, “toka shqiptare e ngriti fëmijë nga djepi dhe koha e zbriti shenjtore mbi botë nga qielli”, është idhulli i vëllezërve Gojçaj.

-Nënat tona kanë vuajtur shumë gjatë historisë dhe përherë u kanë bërë ballë sfidave të kohës, – thotë Leka. –  Nënë Tereza simbolizon tiparet më të qenësishme të nënave tona, vuajtjet, përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm për familjen e fëmijët.

Vëllezërit Gojçaj u kujtuan të përjetësonin figurën e saj në një shtatore, qysh kur Nënë Tereza ishte gjallë. Kjo vepër e sponsorizuar prej tyre dhe e realizuar nga tre skulptorë shqiptarë, Vasil Rakaj, Sadik Spahia e Vasiliev Nini, u vendos në oborrin e Kishës Katolike Shqiptare në Tuz, në tetor 1997. Në ceremoninë madhështore të përurimit të monumentit, morën pjesë personalitete të njohura shqiptare nga të gjitha trojet tona, përfaqësues të Vatikanit e klerikë të të gjitha besimeve, shqiptarë e të huaj. Në Shqipëri e në botë, deri në këtë kohë nuk ishte ngritur një vepër tjetër për një figurë shqiptare të përmasave botërore, si ajo. Ngritja e shtatores së parë të Nënë Terezës pati jehonë të madhe në gjithë botën shqiptare. At Nikollë Marku, më vonë, duke lexuar një artikull të poetit Agim Shehu për vëllezërit Gojçaj, i përlotur nga emocioni, puthi portretin e Nënë Terezës të botuar në gazetë bashkë me emrat e vëllezërve Gojçaj e mërmëriti i prekur thellë: “Me të tillë patriotë, s’humbet Shqipëria”. Për këtë nuk mjaftonte vetëm dëshira dhe fondet e nevojshme që ata nuk i kursenin për shenjtoren e gjallë. Nuk ishte e lehtë që ky projekt të realizohej ashtu si e meritonte personi, të cilit i kushtohej. Për këtë Pashkut iu desh të udhëtonte disa herë deri në Shqipëri, për të gjetur artistët skulptorë. Mos të harrojmë se ishte viti i mbrapshtë ’97, kur shteti shqiptar qe shkërmoqur nga vetë shqiptarët. Për këtë është e qartë sa e vështirë ishte për Pashkun të merrte rrugën nga Amerika për t’u kujdesur që shtatorja e Nënë Terezes të realizohej sa më me dinjitet e të përfundonte sa më parë. Ai falënderon veçanërisht Bahri Rogamin, Ilir Osmanin dhe Dodë Gojçajn, që iu gjendën pranë gjatë gjithë kohës e ia lehtësuan punët si dhe mërgimtarët tanë nga Amerika që morën pjesë në ceremoninë përuruese të shtatores si Pretash Curanaj, Fran Shala, Kolë e Viktor Zagreda, Luc Ujkaj e Pren Vataj.

“Ringjallja e dytë” e Nënë Terezës nga vëllezërit Gojçaj, siç shkruan gazetari Dalip Greca, ndodhi më 10 shtator 2000. Shtatorja e saj u vendos në oborrin e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në New York.

Gjatë një vizite në Kosovë më 1999, vëllezërit Gojçaj, të shoqëruar nga Agim Karagjozi, Marjan Cubi, Lavdërim Cami, Ibrahim Kolari, Zef Prenocaj e koordinatori Agim Rexhaj, i premtuan presidentit Rugova se do t’ia dhuronin edhe Kosovës një shtatore të Nënë Terezës, gjë që u bë realitet tri vjet më vonë. Më 2 korrik 2002, përmes një ceremonie madhështore në Prishtinë, kryeqytetit të Kosovës iu shtua edhe një “banor” i ri,  pranë përmendores së Skënderbeut, e shenjta Nëna Tereze. Para mijëra qytetarëve të Kosovës, shtatoren e nobelistes shqiptare e zbuloi presidenti Rugova, i cili ndër të tjera tha: “ Tani e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Tereze që do ta ndriçojë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo. Falënderoj Lekë Gojçajn, veprimtarin dhe atdhetarin e njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar”. Më pas ai lëshoi pëllumbat e bardhë që kishte sjellë aty Shaban Presheva, aq pëllumba sa vite jete pati Nënë Tereza.

-Është një ditë e zgjedhur dhe me kuptim që shtatorja u vendos në Kosovë më 2 korrik. Kjo datë është e shenjtë për Kosovën, siç është e shenjtë Nënë Tereza për mbarë njerëzimin, veçanërisht për shqiptarët, – thotë Leka dhe falënderon të gjithë ata që ndihmuan të realizohej kjo dëshirë e tij dhe morën pjesë në këtë ceremoni: presidentin Ibrahim Rugova, kryeparlamentarin Nexhat Daci, aktivistin Naim Dedushaj, i cili gjatë gjithë kohës u qëndroi pranë vëllezërve Gojçaj dhe zonjave të tyre, Mark Krasniqin, Kolë Berishën, Aqif Shehun, Gjergj Dedajn, Dom Lush Gjergjin, dom Mikel Sopin, dom Nosh Gjelajn, Skënder Hysenin, Blerim Ramosajn, Sali Gashin, Anton Çunin, Sali Cacajn, Bahri dhe Bujar Ragamin, Kujtim Toskën, Agim Krasniqin, kushëririn Dodë Gojçajn me zonjën Vitoren, si dhe bashkatdhetarët tanë nga Amerika: Marjan Cubin, Rrustem Gecin, Bajram Kabashin, Pashk Palokën, Sadik Rugovën e Elmi Berishën.

Tri statuja të Nënë Terezës, me përmasa më të vogla, vëllezërit Gojçaj i kanë dhuruar predidentit Bill Clinton, gjeneralit Wesley Clark dhe presidenit Ibrahim Rugova.

 

* * *

Pranë arkivolit të Nënë Terezës, në Kalkutë të Indisë.

Vëllezërit Gojçaj, të shoqëruar nga Marjan Cubi dhe Simon Simonlacaj, morën pjesë edhe në varrimin e Nënë Terezës në Kalkutë.

– Posa arritëm në Kalkutë, – më thotë Leka, – ne  shkuam menjëherë drejt e tek kisha për t’i bërë nderimet Nënë Terezës. Kur drejtuesit e ceremonisë morën vesh se  ishim shqiptarë, nuk na lanë të prisnim në radhë si të tjerët. Jo vetëm në kishë, por edhe në hotelin ku u vendosëm, në rrugë, në restorante e kudo na u bë një pritje shumë e ngrohtë nga populli i Kalkutës. Ky ishte një vend i varfër, por populli u tregua shumë i dashur. Dukej qartë se Nënë Tereza kishte mbjellë tek secili dashurinë e respektin e njeriut për njeriun. Gjithçka në atë qytet na dukej e dashur dhe e shtrenjtë, ndaj ne deshëm të shkelnim në çdo rrugë ku kishte kaluar ajo, të hynim në çdo shtëpi ku kishte shërbyer e të preknim me duart tona gjithçka që kishte prekur dhe ajo.

Afër trupit të saj vendosën një kurorë me kryq dhe shqiponjën me mbishkrimin  “Shqiptarët nga New York-u”. Ky kryq i krijuar nga lulet e bardha, shoqëroi trupin e Nënë Terezës nga kisha, deri në stadiumin ku u organizua ceremonia e fundit për të, me një pjesëmarrje të personaliteteve të njohura të botës e të adhuruesve të shumtë  të veprës së saj.

Gazetarët e huaj, që kishin vërshuar ato ditë në Kalkutë për të përcjellë ceremoninë, po kërkonin gjithandej njerëz për të intervistuar. Disa prej tyre as që e dinin se “nëna e madhe e njerëzimit” ishte shqiptare. Një gazetar i kanalit televiz amerikan ABC, që ishte në dijeni të prejardhjes së saj, i mori një intervistë Lekë Gojçajt.

-Meqenëse Nënë Tereza ishte shqiptare, për këtë arsye keni ardhur edhe ju sot këtu? – e pyeti gazetari amerikan, pyetja e të cilit Lekës me të drejtë iu duk si një provokim.

-Po, për këtë qëllim kam ardhur. Nënë Tereza është nënë e gjithë njerëzimit, ndaj secili nderohet me të. Por, unë jam tepër krenar se ajo është shqiptare.

Marjan Cubi tha në intervistën që i morën gazetarët se New York-u duhet të ketë një rrugë apo shesh me emrin e Nënë Terezës.

Leka nuk është poet e as që ka botuar ndonjëherë poezi, por i emocionuar nga ajo çka pa ato ditë, shkroi një poezi të thjeshtë, me pak vargje, por që mbartin një mesazh të madh: “Oj Kalkuta e Indisë/Je qytet i varfërisë/Tash u bëre e historisë/ Me këtë bijë të Shqipërisë/Që u bë Nëna e gjithë njerëzisë/Tani u bë shenjtorja e lumturisë/Lutu për tokën e Shqipërisë/ Lutu për popullin e Shqipërisë…”.

Dom Anton Kçira, i vetmi klerik shqiptar nga Amerika që mori pjesë në atë ceremoni, mbajti një meshë për shpirtin e Nënë Terezës.

Vëllezërit Gojçaj u kthyen në New York, të ngarkur me emocione të shumta, si nga asnjë udhëtim tjetër.

-Ç ‘mund të bëjmë akoma për këtë nënë të madhe që na la “pasaportën” më të mirë? – kishte pyetur Pashku vëllanë e madh, Lekën.

Pa e zgjatur shumë, dy vëllezërit vendosën se mënyra më e mirë për ta mbajtur gjallë kujtimin e shtrenjtë e misionin e saj të lartë do të ishte themelimi i një fondacioni me emrin e shqiptares së madhe, që do të kryente të njëjtën shërbim që bëri dhe vetë ajo tërë jetën. Regjistruan fondacionin e depozituan 100 mijë dollarë, sa për fillim.

 

* * *

Me autorin e shkrimit, Vehbi Bajrami, gjatë një meshe në Kishën Katolike Zoja e Shkodrës, në Hartsdale, New York.

Gojçajt e kanë për traditë që çdo vit të kalojnë pushimet në fshatin e tyre të lindjes.  Por vizita në verë të 1996-ës ishte e veçantë për ta, sepse meremetuan shtëpinë e vjetër, ku familja e tyre jetoi brez pas brezi. Në një ceremoni, që ata organizuan me këtë rast, bashkë me kushërinjtë e tyre, merrnin pjesë më shumë se 200 vetë nga Malësia e Mbishkodrës, Shqipëria, Kosova, Dibra dhe Ulqini.

Njerëzit e dashur mungonin atë ditë dhe kjo sikur zbehte gëzimin që kishte familja Gojçaj. Babai i Lekës e Pashkut, Gjetoja, të cilit ia mori jetën një dorë tinzare e shitur më 1946, duke lënë pas bashkëshorten Katrinën shtatzanë dhe Lekën 7 vjeç e Pashkun 4 vjeç, shkoi në botën tjetër me dëshirën peng që nuk arriti të përfundonte ndërtimin e shtëpisë, e cila kish filluar të ndërtohej më 1942, në kujdesin e kryemjeshtrit Pretash D. Gojçajt dhe u përfundua më 1948. Kushëriri më i vjetër i Lekës e Pashkut,  Gjergj L. Gojçaj, i cili ndërroi jetë katër vjet më parë si dhe xhaxhai, Gjoka, që kish vdekur më 1989 kishin dëshirë të madhe të meremetohej kjo shtëpi e të përurohej me një ceremoni, siç u organizua atë ditë. Xhaxhai tjetër, Noshi, pati fatin ta përjetonte këtë gëzim, një vit para se të ndërronte jetë. Ai ishte në shtrat i sëmurë dhe nuk mund të bënte dy hapa tutje dhomës. Djali Antoni me vëllezërit e tij, me mundime e sollën deri te shtëpia që dukej si e re. Fytyra e zbehtë e Noshit mori një pamje gëzimi e foli me gjithë fuqinë e zërit: “Unë po përgatitem për botën tjetër. Po shkoj në atë botë i lehtësuar, se më në fund dëshira ime u realizua. Jam i gëzuar që nipat e mi erdhën nga Amerika në Malësi dhe meremetuan shtëpinë, në të cilën u lindën dhe u rritën për katër breza mbi pesëdhjetë anëtarët tanë të familjes”.

Qëllimi i këtij organizimi nuk u bë vetëm për hir të meremetimit të shtëpisë. Gojçajt do t’u jipnin një “surprizë” mysafirëve dhe kushërinjve që do ta përdornin këtë shtëpi për të gjitha gazmendet e rastet e hidhura familjare. Ata u treguan të gjithëve se kishin ndërmend të ndërtonin shtatoren e Nënë Terezës në oborrin e kishës, në Tuz. Gjashtëdhjetë vjet më parë, xhaxhallarët e babait të Lekës, Gjelosh e Ujk Lulashi si dhe nipat e tyre, kishin ndërtuar “kompanjelin” e kishës së Tuzit dhe kishin dhuruar një kumbonare, më të madhen e asaj kohe. Gjeloshi kishte shitur një pjesë të tokës së tij për këtë qëllim dhe vajtoret, të cilat Leka i quan “poetët e popullit”, do ta vajtonin kur ai ndërroi jetë: “Shite tokë e shite dhe/kumbonën kishës për me ia ble/hisen tande s’e ke fikë/zanin tand e la në dritë/ me kumbonën që e la në kishë…”.

Për ta bërë edhe më të plotë këtë shkrim citojmë disa nga thëniet e atyre që morën pjesë në solemnitetin e meremetimit të shtëpisë së vëllezërve Gojçaj.

Mentor Quku: “Te kjo familje shohim themelin e nacionalizmit shqiptar. Rasti i këtij bashkimi tregon se Lekë e Pashko Gojçaj kanë ruajtur tiparet tona të burrërisë, bujarisë e mikpritjes”.

Imam Islam Pepiq:  “Shpirti e zemra e një populli mbetet përherë në tokën ku ka lindur dhe është rritur. Falënderoj vëllezërit Gojçaj për ndihmat materiale që dhanë për xhaminë e Tuzit dhe lutim Zotin që ata të kenë përherë sofrën plot”.

Zef Kalaj: “Në shtëpinë e familjes Gojçaj fillova misionin tim prej mësuesi. Kjo familje liroi shtëpinë e saj në Vuksanlekaj, ku kishte jetuar deri sa ndërroi jetë Lulash Hasi, për të mësuar nxënësit shqiptarë, se atëherë nuk kishim as mësonjtore”.

Kryefamullitari patër Pashko Gojçaj: “Familja Gojçaj jo vetëm që i dha ndihmat për skamnorë, por edhe i ndau me ta”.

Lekë Gojçaj, me një natyrë të qetë, me mendjemprehtësinë që i fali natyra, me shkollën më të vlefshme që e fitoi duke dëgjuar si fëmijë rrëfimet e të parëve e duke u qëndruar pranë, i rritur bonjak dhe i pjekur para kohe, shprehu kënaqësinë që erdhi koha të festonte tok me shqiptarët e të dy anëve të kufirit dhe u lut që të vinte një ditë për kombin tonë, kur nuk do të ketë fare kufij të ndarjes në tokat shqiptare. Duke folur për Kosovën, ai tha se Malësia i ka borxh Kosovës se, falë Universitetit të Prishtinës, gati çdo familje këtu sot  ka nga një mësues. Duke qenë një antikomunist i flaktë gjatë gjithë jetës, ai shprehu gëzimin që komunizmi në Shqipëri dha shpirt përgjithmonë me turpin e kombit e të fesë.

Skulptori Vasil Rakaj dhuroi dy shqiponja të mermerta, të cilat me sakrifica Pashku i solli nga Laçi dhe ato u vendosën në hyrje të shtëpisë. Gjergj P. Dojani i shoqëruar nga xhaxhai i tij Nikolla dhe kushërirën Lulen,  kishte ardhur nga Gjermania me një dhuratë tjetër, flamurin tonë kombëtar që u vendos në ballë të vendit. Kish zëra që thonin: “Është i ndaluar simboli ynë kombëtar në Mal të Zi. Mos i veni aty!”. Por, Gojçajt, vepruan siç ua ndjente shpirti. I vendosën ato në hyrje dhe aty do të qëndrojnë për sa kohë që kjo shtëpi do të jetë në këmbë. Rrok Gojçaj si për të forcuar dëshirën e vëllezërve Gojçaj, pasi falënderoi Vasil Rakajn foli i gëzuar: “Këto simbole kombëtare janë të vendosura në vendin që e meritojnë”.

 

* * *

Gojçajt kanë një shtëpi të bukur në periferi të New York-ut, një “pallat mbretëror”, siç do ta quante studiuesi arbëresh, Antonio Bellusci. Dyrekët në hyrje ngjajnë me ato të Shtëpisë së Bardhë në Washington. Kulmet përthehen si kreshtat e maleve e syri nuk i kap dot. Mbi derën e madhe të hyrjes bën “roje” figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, me shpatën e ngrehur mbi kalin në “fluturim”. Dhomat e mëdha, të pajisura me orendi të shtrenjta, kanë pritur e presin mysafirë nga të gjitha trojet tona. Për festat fetare e kombëtare, shtëpia mbushet plot.

Më 1999, ish presidenti Bill Clinton donte të blinte një shtëpi në New York. Një kanal i njohur televiziv amerikan, një ditë i vajti në shtëpi Gojçajt dhe realizoi një program televiziv. Përfundimi i gazetarit ishte: “Kjo është një shtëpi ideale për presidentin Clinton. Ka kaq e kaq dhoma, ndodhet në mes të një gjelbërimi të pafund, ka liqenin e vet, ka edhe pompën e benzinës në oborr. Çfarë i mungon vallë kësaj shtëpie? E ç’nuk ka tjetër kjo shtëpi?”- pyeste duke përfunduar gazetari.

Por, presidenti Clinton kërkonte një shtëpi më të lirë nga kjo që vizitoi gazetari, e cila kushtonte mbi katër milionë dollarë. Kur e morën vesh këtë vëllezërit Gojçaj, i deklaruan gazetarit e miqve të tyre se “për presidentin Clinton nuk kam atë çmim”. Le ta marrë me çmimin që do ai për hir të angazhimit të tij për Kosovën”. Më vonë Clinton bleu një shtëpi më të lirë.

Deri më tani, vetëm një projekt i vëllezërve Gojçaj ka mbetur në gjysmë të rrugës e nuk është realizuar ende. I kanë ofruar qytetit të New York-ut një shtatore të Nënë Terezës, për t’u vendosur diku në një nga mjediset e “kryeqytetit të botës”.

Drejtuesit e bashkisë së qytetit kanë propozuar disa vende në Manhattan, por Gojçajt nuk kanë rënë dakord dhe po kërkojnë një vend më të përshtatshëm. Ata do të donin, për shembull, që statuja të vendosej në mjediset e Kombeve të Bashkuara, sepse Nënë Tereza, sipas Lekës, i përket gjithë njerëzimit. Por, administrata e OKB-së kushedi se përse nuk ka dhënë përgjigje pozitive dhe shtatorja pret. E gjithë kjo nuk ka kaluar pa u vënë në dukje edhe nga mjetet amerikane të informimit.

 

* * *

Lekë Gojçaj nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë partie. Me politikë nuk i pëlqen të merret. Megjithatë, nga politikanët e sotëm shqiptarë, ai çmon më shumë presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova. Shqiptarët e Kosovës qenë me fat që Zoti ua dërgoi në këtë botë këtë njeri, i cili ruajti popullin e vet prej shfarosjes që i kanosej nga Beogradi, thotë Leka dhe shton se “lider si ai lindin shumë rrallë”. Urtësia e Rugovës, vazhdon ai, e futi në thes diktatorin serb dhe sot ai po vuan dënimin që meriton në burgun e Hagës. Nënshkrimet e tij nuk dilnin nga ngjyra e penës, por nga gjaku i zemrës, thotë Leka. O Zot, flet Leka, kur na dhe Nënë Terezën në fillim të shekullit, pse nuk na dhe në këtë kohë një diplomat si Rugova?

– Millosheviçi vrau e masakroi jo vetëm shqiptarët, por edhe boshnjakët e kroatët, mirëpo shqiptarët e çuan në Hagë, – thotë Leka.

Për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ai pohon se trimëria dhe morali i saj luftarak ishin aq të fuqishme, sa ishte dhe teknika ushtarake e NATO-s. Shqiptarët i kanë dhënë kombit figura që kanë ndritur historinë e tij, siç ishte edhe Adem Jashari, simboli i qëndresës së Kosovës, thotë Leka.

 

* * *

Në Pelham Parkway, ku kanë zyrat vëllezërit Gojçaj, jetojnë e punojnë edhe shumë shqiptarë të tjerë. Këtu e filluan biznesin e tyre të suksesshëm dhe këtu janë edhe sot.

– Dhe këtu na pëlqen të vazhdojmë, – thotë Pashku.

Ata e ndjejnë veten si midis vëllezërish e motrash. A nuk është edhe ky një privilegj i madh?

 

Dhjetor, 2002

 

 

One Response to “Lekë Gojçaj, iku patrioti që mishëronte të gjitha virtytet e shqiptarit”

Read below or add a comment...

  1. Sali Bollati says:

    I ndjeri atdhetar L.Gjojcaj pushfte ne Paqe.

    P.S

    Me vjen shume keq kur shikoj mbajtjen e Flamurit tone Kombetar ne duar te nje antishqiptari

Comment

*