Leonard Bernstein, figurë madhështore e muzikës amerikane dhe asaj botërore

Sadik Elshani

Me rastin e 30 vjetorit të ndarjes nga kjo botë të muzicientit emblematik (25 gusht 1918 – 14 tetor 1990)

 

Tridhjetë vite më parë, më 14 tetor të vitit 1990, u nda nga kjo botë Leonard Bernstein (Lenny, siç e kanë quajtur kolegët e tij), dirigjenti i njohur, kompozitori, autori, ligjëruesi e pianisti amerikan me famë botërore. Ka lindur më 25 gusht të vitit 1918 në qytetin Laërence të shtetit Massachusetts – ShBA, nga prindër hebre të emigruar nga Ukraina. Qysh në femijëri ka qenë i interesuar për muzikën, babai e ka marrë me vete nëpër koncerte, ndërsa më vonë ka marrë edhe orë mësimi në piano. E ka ndjekur shkollën fillore të Garrisonit dhe Shkollën Latine të Bostonit. Pas mbarimit të shkollës së mesme është regjistruar në Universitetin e Harvardit. Ketu është takuar edhe me kompozitorin e madh amerikan, Aaron Copland (!900 – 1990), i cili ka patur një ndikim të madh te Bernsteini i ri. Pas mbarimit të studimeve në Harvard me 1939, ai regjistrohet në Curtis Institute of Music në Filadelfia, njërin ndër institucionet më prestigjioze muzikore të botës dhe mjaft përzgjedhëse, ku pranohen vetem 4.8 % të aplikantëve. Në këtë institucion ai ka studiuar dirigjimin, pianon, orkestrimin.

Pasi mbaron studimet në Curtis, kthehet në Neë York dhe në vitin 1943 emërohet ndihmës dirigjent i Orkestrës Filharmonike të Nju Jorkut. Nga viti 1945 – 1947 ka qenë drejtues muzikor (dirigjent) i Simfonisë së Qytetit të Nju Jorkut. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, aty nga viti 1946 karriera e tij ndërkombëtare ka marrë hov, ka dirigjuar ne Pragë, Izrael, etj. Në vitin 1954 fillon serinë e tij të famshme të ligjeratave televizive, Young People’s Concerts në rrjetin televiziv CBS. (Për këto ligjerata diçka pak më teper do të flitet më vonë në këtë shkrim). Në vitin 1957 emërohet drejtor muzikor (dirigjent) i Orkestrës Filharmonike të Nju Jorkut, njerës ndër orkestrat më të mira e më prestigjioze të botës. Me këtë orkestër ai e vulos statusin e tij si njëri ndër dirigjentët më të mirë e më të njohur të shekullit të XX- të. Në krye të kësaj orkestre qëndron gjer në vitin 1969, por që do të mbetet i lidhur me të gjatë gjithë jetës së tij, do të mbetet fuytyra, identiteti, letërnjoftimi i kesaj orkestrtre. Me këtë orkestër në vitin 1959 bën një xhiro mjaft të suksesshme nëpër Europë e Bashkimin Sovjetik. Më vonë ai ka qenë i lidhur me shumë orkestra të njohura botërore si, atë të Vjenës, Londrës, Bostonit, etj. Më 9 tetor të vitit 1990 Bernsteini e bëri publik tërheqjen (pensionimin) e tij nga dirigjimi, ndërsa pesë ditë më vonë ai vdes në apartamentin e tij në Nju Jork nga një sulm në zemër.

Leonard Bernstein ka qenë ndër dirigjentët e parë të lindur e të edukuar në Amerikë që ka marrë ovacione në mbarë botën. Sipas kritikut të muzikës, Danal Henahan, ai ka qenë ”njëri ndër muzicientët me talent të jashtëzakonshëm e më të suksesshëm në historinë amerikane”. Edhe pse Bernstein ka qenë kryesisht i njohur si dirigjent shumë i suksesshëm, ai ka qenë edhe një kompozitor shumë serioz që ka kompozuar mjaft vepra të suksesshme të gjinive të ndryshme muzikore: opera, balete, muzikale, muzikë instrumentale, muzikë per filma, pjesë vokale e pianistike. Sidomos janë të njohura: Ëest Side Story, Peter Pan, Candide, On the toën, On the Ëaterfront e shumë te tjera. Në muzikën e tij ai ka ndërlidhur, gërshetuar mirë elementet e jazzit, muzikës hebreje, asaj teatrore si dhe veprat e kompozitorëve tjerë si, Copland e Stravinski.

Bernstein ka qene një mesues, edukator shumë i mirë dhe promovues, përhapës i përkushtuar i muzikës. Bernstein ka qenë edhe një artist mjaft i angazhuar edhe për shume çështje, kauza sociale dhe filantrop (bëmirës). Në qytetin Neshville ka ndërtuar Qendrën Leonard Bernstein për të promovuar muzikën, për të ndërlidhur artin dhe edukimin.

 

Bernsteini më zgjoi interesimin, adhurimin për muzikën klasike

Siç përmenda pak më lart në këtë shkrim, nga viti 1954 e gjer në vdekje ai ka mbajtur disa cikle të ligjeratave muzikore televizive përpara një numri të madh të të rinjve. Dhe jo rastësisht këto ligjerata jenë quajtur Young People’s Concerts (Koncertet e të Rinjve ose Koncertet për të Rinj). Në femijërinë dhe rininë time të hershme përmes Televizionit të Beogradit kam patur rastin që t’i percjell këto ligjerata mjaft interesante. Ai me shumë thjeshtësi e mjeshtëri i spjegonte termet e ndryshme muzikore duke i ilustruar me shembuj konkretë, me pjesë të zgjedhura muzikore e mjaft të popullarizuara, të cilat të rinjtë mund t’i ndjenin e t’i shijonin pa kurrëfarë pengesash. Kështu ai muzikën klasike e bënte shumë te afërt, të kuptueshme dhe jo si diçka të ndërlikuar, të pakuptueshme, të ftohtë e të largët. Kjo mishëron talentin, mjeshtërinë e tij të komunikimit, njohjen e thellë të artit muzikor, sepse nuk është lehtë që t’u spjegosh fëmijve koncepte muzikore në menyrë aq të thjeshtë e të kuptueshme. Për mua kjo ishte mjaft e rëndësishme e mjaft ineresante, sepse në kohën dhe mjedisin ku jam rritur (Suharekë/Therandë, Kosovë) të rrallë ishin ata që flisnin për muzikën klasike, madje ne e quanim “muzikë serioze” që kryesisht luhej në programet televizive në rast ditë zije, kur vdiste ndonjë qeveritar i lartë i asaj kohe. Bernstein e kishte një mënyrë shumë të thjeshtë komunikimi me publikun, teknika e tij e dirigjimit mjaft teatrale, dinamike, gjestet e tij, mimika e fytyrës, të gjitha këto bënin që muzika nga notat e kompozitorit, loja e orkestrës të barteshin fare lehtë e në mënyrë të drejtpërdrejtë te zemra e dëgjuesit/shikuesit. Ai me personalitetin karizmatik, teknikën e tij dinamike të dirigjimit e mbante të gjallë publikun, të angazhuar, të interesuar, duke e mënjanuar çdo monotoni që mund te krijohej gjatë koncerteve të tilla.

Duke i përcjellur këto ligjerata televizive mjaft ineresante, Bernstein më zgjoi interesimin, më ngjalli dashurinë, adhurimin për muziken klasike, e cila tani është bërë një pjesë e këndshme e jetës sime. Besoj se kjo ka ndodhur edhe te shumë të rinj të tjerë anembanë botës. S’më mbetet tjetër veç të them: faleminderit maestro Bernstein! Tani kanë kaluar 30 vite nga ndarja e tij nga kjo botë, por ai gjithmonë do të mbetet i dashur te adhuruesit e muzikës dhe artit në përgjithësi. I përjetshëm kujtimi!

Filadelfia, tetor 2020.

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Comment

*