Lëshohet në përdorim fjalori digjital shqip-serbisht dhe anasjelltas

Prishtinë, 27 shtator 2019 – Prej të enjtes është lëshuar në përdorim fjalori i parë digjital SHQIP-SERBISHT dhe SERBISHT–SHQIP.

Gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare në Kosovë dhe ky fjalor vlerësohet me shumë interes për qytetarët e Kosovës.

Në raportin e Qendrës për Nisma Sociale në Kosovë, në vjeshtë të vitit 2018, konstatohej se bashkësia serbe në Kosovë ka njohuri minimale të gjuhës shqipe. Sipas hulumtimit, vetëm 5 për qind e pjesëtarëve të kësaj bashkësie dinë të flasin në gjuhën shqipe, ndërkaq gjuhën serbe e dinº dhe e flasin rreth 18 për qind e shqiptarëve. Hulumtimi tregon gjithashtu që kjo përqindje është duke rënë gjithnjë e më shumë te popullata e re e Kosovës.

“Problemet, të cilat shfaqen gjatë zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në Kosovë, kanë të bëjnë kryesisht me mospërgatitjen e kuadrove që punojnë për këtë çështje”, tha komisionari për gjuhë pranë Qeverisë së Kosovës, Slavisha Mladenoviq, zyra e të cilit ka qenë e përfshirë në projektin e hartimit të fjalorëve digjitalë.

“Zgjidhja për këtë problem është përfshirja e gjuhës së rrethit në sistemin e arsimit, por fatkeqësisht këtë nuk e vërejti askush. Tash e tri dekada nuk kemi shkolla, në të cilat të rinjtë mësojnë gjuhën e fqinjëve të tyre”, theksoi Mladenoviq.

Milena Todoroviq nga Graçanica, gazetare e shërbimit në gjuhën serbe në transmetuesin publik të Kosovës, tregoi se ballafaqohet me problemin e mosnjohjes së gjuhës shqipe. Ajo tha se gjatë komunikimit të përditshëm, në qytet ose me kolegët e saj, nuk ka probleme, por ato i has gjatë punës.

Todoroviq e cilësoi të domosdoshme njohjen e gjuhës shqipe në Klosovë.

“Duke marrë parasysh që raportojmë në gjuhën serbe, ndërkaq në të gjitha ngjarjet në Prishtinë flitet kryesisht shqip, atëherë ballafaqohemi me problemin e vonesës, sepse procesi i përkthimit është i gjatë. Jemi me fat që në kolektivin tonë kemi kolegë që i njohin mirë të dyja gjuhët, të cilët na ndihmojnë. Por, konsideroj që, në rast se punoni dhe jetoni në Kosovë, është vërtet e domosdoshme që ta njihni gjuhën shqipe”, theksoi Todoroviq, citon Radio Evropa e Lirë.

Ana Sivaçki, njëra nga autoret e këtij fjalori, tha që qëllim i fjalorit ‘online’, në të cilin kanë punuar ekspertë nga Prishtina dhe nga Beogradi që nga viti 2018, është t’u ndihmojë punëtorëve të administratës shtetërore, përkthyesve dhe të tjerëve. Ajotha se për këtë arsye në fjalor janë përfshirë edhe flajë e shprehje të terminologjisë profesionale të fushave të ndryshme.

“Ndonëse bëhet fjalë për një fjalor klasik dhe standard dygjuhësor, ai përmban edhe terminologjinë nga fusha të ndryshme profesionale, sikurse janë ato: administrative, juridike, llogaritëse, e sidomos ajo e medicinës”, tha Sivaçi.

“Vetë fjalori është i organizuar që, para së gjithash, të përmbajë udhëzime në gjuhën shqipe, me shtesa e duhura, e më pas përkthimet në gjuhën serbe. Veçanërisht janë të rëndësishëm shembujt në formë të frazave dhe shprehjeve të ndryshme, prandaj jemi përpjekur të ilustrojmë përdorimin e atyre frazave, të cilat i kemi renditur në fjalor”, u shpreh Sivaçki.

Fjalori, aktualisht, përmban 20 mijë fjalë, por planifikohet që deri në qershor të vitit 2021, asi të ketë 50 mijë deri në 60 mijë fjalë, në të dyja gjuhët.

Gjuhëtari Qemal Murati, po ashtu bashkautor i fjalorit, tha se ky fjalor është shumë i dobishëm, sepse fjalorët e mëhershëm nuk i kanë përmbushur kërkesat e përdoruesve.

“Ata kanë pasur mungesa të mëdha drejtshkrimore dhe terminologjike dhe nuk kanë ofruar përmbledhje të plotë të gjuhëve shqipe dhe serbe”, theksoi Murati.

Fjalori ‘online’ Shqip – serbisht dhe serbisht – shqip është hartuar me mbështetjen e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit (IOM) dhe Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë.

(r.m.)

Comment

*