Letra para pushkatimit: ‘Fytyrat tuaja më dalin përpara syve e s’më lanë me dekë’

Luljeta Progni

Letra e Mark Shllakut drejtuar bashkëshortes, pak orë para pushkatimit: “Angje! Në të mbushet mendja me u martue ke lejen teme por mos me më harrue. Por fëmijët amanet dhe ta la shtëpinë. Të kam desht me shpirt deri në çast të mbramë të jetës teme, edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue, por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit. Marku”

 

Nga Luljeta Progni

Këto fjalë janë shkruar në një dhomë të errët, në qelitë e burgut të Shkodrës. Mësuesi Mark Shllaku ishte dënuar me pushkatim nga regjimi komunist, për agjitacion dhe propagandë dhe për angazhim në një celulë të PSD-së. Mark Shllaku ishte vetëm 31 vjeç, kur mësoi se po shkonte drejt pushkatimit. Në shtëpi, kishte lënë bashkëshorten Angje dhe dy bijat e saj. Juli, vajza e Mark Shllakut, ishte vetëm 8 vjeç në atë kohë kur i ati ishte dënuar me pushkatim. Edhe pse ishte fëmijë i mitur, ajo u përball me ngjarjen e rëndë që po ndodhte në jetën e saj, vrasjen e të atit. Me nxitjen e së ëmës, Juli u detyrua t’i lutej kryetarit të degës që të mund ta lejonte të shihte babanë për herë të fundit. Pak ditë para se të pushkatohej, Juli dhe e ëma, Angjia e takuan për pak minuta Markun. Atë ditë, Marku i tha Angjes, se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimit, atje do të gjente një letër me disa informacione të rëndësishme.

Kur një i dënuar me pushkatim ekzekutohej, familja nuk kishte asnjë të drejtë të merrte trupin e tij e asnjë informacion për vendin ku do të varrosej. Ndaj Mark Shllaku ishte përpjekur të paramendonte rrugën që të çonte drejt vendit ku mendohej se do të vritej e groposej. Shokët e tij ishin varrosur në Zallin e Kirit, ndaj Marku e kishte projektuar aty fundin e tij. Të gjitha i kishte shkruar në këtë letër që e publikojmë sot në kujto.al.

Juli është një prej personazheve në dokumentarin “Të zhdukurit”, ku rrëfeu disa nga vargjet e kësaj letre. Sot, Kujto.al e publikon të plotë letrën që Mark Shllaku e shkroi dy ditë para se të pushkatohej. Letra nuk e ndihmoi Angjen e fëmijët që ta gjenin trupin e tij. Juli e ruan prej 70 vitesh këtë letër, me shpresën se një ditë do të mund të gjejë eshtrat e të atit, Mark Shllaku.

Letra ka mesazhe shumë emocionuese, që nga përbetimi për dashurinë tij për Angjen, porosia për fëmijët, borxhet që kishte lënë në këtë jetë, e deri tek amaneti për të mos reshtur së kërkuari eshtrat e tij.

E dashtuna Angje e fëmijë!

Më kan nda nga shokët për të më ekzekutue. Nuk po më dhimbet jeta vetëm se ju po ma merzitni shpirtin.

Mos u merzit për mu, por amanet fëmijët, mi rrit  me hirë të zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borxh i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhet dita, jepja për mue.

E dashtuna Angje!

Jam lidhun kambësh e duarsh dhe pak orë kan mbetur me jetue. Mendjen e kam te ti dhe fëmija që nuk mujta me ju gëzue.

Tani më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin përpara syve e s’më lanë me dekë. Banu e fortë. Marku

Angje! Në të mbushet mendja me u martue ke lejen teme por mos me më harrue.

Por fëmijët amanet dhe ta la shtëpinë. Të kam desht me shpirt deri në çast të mbramë të jetës teme, edhe në atë jetë do të lutem për ty.

Amanet mos u mërzit për mue, por shikjo fëmitë.

Ju puth me mall për herë të fundit.

Marku.

E dashtuna Angje!

Të lutëm të më bësh hallall të gjitha vuajtet që të kam qitë dhe të lutem me mu interesue për eshtrat e mijë dhe të mos më harrojshë por kurdoherë të interesohesh për eshtrat me mi shti në një varr.

Kam me vedi një teneqe me emrin tim, me të mundesh me më njoftë.

Hallall të gjithëve edhe ty të parën.

Po vdes si një shqiptar i mirë dhe e i ndershëm.

/Kujto.al/

 

Comment

*