Libër me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë dhe historiografinë e kombit shqiptar

Noel Malcolm, Agents of Empire: Knights, Corsairs, Jesuits and Spies in the Sixteenth Century Mediterranean World, United Kingdom: Penguin Random House

 

Nga Dr. Azeta Kola

Historiani dhe publicisti i njohur anglez, Noel Malcolm, i cili është i njohur për lexuesin shqiptar pas botimit në 1999 gjatë luftës në Balkan të librit me titull, Kosova: Një Histori e Shkurtër, ka publikuar në 2015 një libër te ri me titull, Agjentë te Perandorive: Kalorës, Piratë, Jesuitë, dhe Spiunë në Botën Mesdhetare te Shekullit të Gjashtëmbëdhjetë. Ky libër është me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e kombit shqiptar dhe për historiografinë shqiptare për disa arsye të cilat po i rendis më poshtë.

Së pari, ky libër është i vetmi deri tani i shkruar nga një historian serioz dhe botuar në anglisht i cili sjell para lexuesit një histori të tokave shqiptare gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Autori analizon një dorëshkrim origjinal mbi historinë e Shqipërisë (dhe Shqiptarëve) të autorit shqiptar nga Ulqini, Antonio Bruni i shkruar në shekullin e gjashtëmbedhjetë. Malcolm ka rënë në gjurmë të këtij dorëshkrimi krejt rastësisht ndërsa lexonte nje libër të një autori italian mbi historinë e Perandorisë Otomane. Autori anglez, i cili është i interesuar në temat e përplasjes së perandorive te Perëndimit dhe Lindjes në Ballkan e ka gjurmuar me ngulmim këtë dorëshkrim deri sa e ka gjetur ne Bibliotekën e Vatikanit. Malcolm e analizon imtësisht dorëshkrimin e Brunit dhe ndërton në bazë te tij historinë e dy familjeve të shquara shqiptare nga Ulqini, Bruni dhe Bruti, anëtarët e të cilave ishin Katolikë dhe për gjenerata të tëra kane mbajtur pozicione të rëndësishme, si për shembull, Antonio Bruti punoi në shërbim të shtetit Venedikas gjatë gjithë jetës së tij, apo Giovanni Bruni i cili ishte Kryepeshkop i Tivarit dhe pjesmarrës në Këshillin e Trentit (1545-1563) në Itali, një nga Këshillet më të rëndësishme në historinë e Kishës Katolike si përfaqesues i Ballkanit, apo Gasparo Bruni, i cili ishte Kalorës i Urdhërit Kalorsiak te Maltës dhe luftëtar në Betejën e Lepantos në 1571, ku Koalicioni Perëndimor midis Venecjas, Mbretërisë së Spanjës, dhe Shteteve Papale fitoi vendosmërisht mbi flotën Otomane ne ujrat shqiptare duke ndaluar zgjerimin Otoman në Evropën Perëndimore.Gasparo, i cili si shumë bashkëluftëtarë të tjerë Shqiptarë sigurisht luftoi në krah te Koalicionit Perëndimor, humbi pjesën më të madhe të familjes në këtë betejë historike. Falë kërkimeve njëzet vjeçare të Malcolm në çdo arkiv të Evropës Perëndimore dhe Lindore, të cilin e ka kryer duke përdorur të gjitha gjuhët moderne evropiane dhe ato të Ballkanit të cilat ai i flet mire, Malcolm ka ndërtuar një histori të përgjithshme të tokave shqiptare dhe ka paraqitur gjendjen në të cilën ato ndodheshin gjatë shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Jo vetëm kaq, por me këtë studim të fundit shkencor, Malcolm rishikon krejt historinë e Mesdheut për ti dhënë vendin e duhur elementit shqiptar dhe kontributit të tij në historinë e Evropës Perëndimore të Krishterë.

Se dyti, ky libër i autorit anglez është i rëndësishëm sepse këtë periudhë historike, pra shekullin e gjashtëmbëdhjetë, historiografia shqiptare (Selami Pulaha, Ferid Duka e Dritan Egro) ashtu dhe ajo e huaj e kanë studjuar nga këndvështrimi Otoman, dmth të nisur nga mendimi i pranuar përgjithësisht në rrethet akademike se Shqipëria ose tokat shqiptare (pasi shteti në këtë kohë nuk ekzistonte ende si koncept), ishin nën Perandorinë Otomane. Ky këndvështrim është pjesërisht i saktë historikisht. Me te drejtë, Malcolm provon se tokat ku jetonin shqiptaret etnike dhe shqipfolës shtriheshin nga Gjiri i Kotorrit në veri e deri në Gjirin e Patras në jug. Ato sigurisht përfshinin Kosovën Katolike dhe pjesë të Maqedonisë së sotme. Ndërkohë që otomanët kishin pushtuar pjesën më të madhe të këtij territori të gjerë shqiptar, jo të gjitha tokat shqiptare ishin otomane. Tivari, Ulqini deri ne Kotorr ishin ende nën pushtetin venedikas si pjesë e Perandorisë Së Detit (Ital. Stato da Mar), e njohur si Arbëria Venedike. Ne jug, Venediku kishte në zotërim edhe Butrintin, Sopotin (Borshin e sotëm) dhe Korfuzin. Këto fakte historike janë lënë në harresë deri tani.

Orientimi lindor i historiografisë shqiptare dhe të huaj është rezultat i izolimit të gjatë të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste dhe Luftës së Ftohtë midis Evropës Perëndimore dhe Lindore e cila e rreshtoi Shqipërinë në kampin e Lindjes. Drejtimi nga Lindja pra, ka qenë i qëllimshëm (do me thënë i ka shërbyer interesave te caktuara gjeo-politike dhe akademike në rajon), për të minimizuar dhe mohuar karakterin Roman (do me thënë Latin e Perëndimor) të tokave, veçanërisht qyteteve dhe popullsisë shqiptare që në lashtësi. Duke evidentuar ekskluzivisht shndërrimin e dhunshëm të tokave shqiptare në pjesë të Perandorisë Otomane, historiografia ka ruajtur për dekada me rradhë rreshtimin ideologjik e kulturor lindor të Shqipërisë. Jo vetëm kaq, por tani në shekullin e njëzetenjë, historiografia shqiptare është nën një presion të forte nga qeveria turke, e cila kërkon me ngulm rishikimin e historisë së Shqiperisë ku otomanet nuk duhet të quhen pushtues, por miq. Kjo teze e fundit është alarmante, sepse jo vetëm që është historikisht e gabuar (dihet që otomanet ishin pushtues sepse luftuan per zhdukjen e gjuhës dhe kulturës sonë të Krishterë, ndërkohë qe masakrat e tyre mbi popullsine Shqiptare ishin nga më të egrat ne Ballkan), por mbi të gjitha kjo kërkesë absurde dhe e pa bazë synon ta mbajë historinë e Shqipërisë peng te Lindjes. Luan Malltëzi dhe Oliver Jens Schmitt janë dy nga studjuesit që kanë evidentuar historinë e Arberisë Venedike dhe lidhjet e saj me Evropën Perëndimore, por për ta, ajo mbaron me rënien e Shkodrës në duart e Sulltan Sulejmanit II në 1479, pas mbrojtjes heroike që bënë qytetarët shkodranë dhe pas eksodit te popullsisë së qytetit dhe rrethinave të tij në Venecja dhe territore të tjera të Italisë.

Se treti, Malcolm, ndryshe nga sa është shkruar apo menduar më pare tregon se Ulqini dhe Tivari ishin ende në duart e shtetit Venedikas deri pas luftës së Lepantos në 1571 dhe paqes se vitit 1573 midis Venedikut dhe Portës se Lartë. Po ashtu, ai provon se popullsia Shqiptare e shekullit te gjashtëmbedhjetë ishte ende e Krishterë dhe Katoliçizmi Shqiptar ishte nën ndikimin e Evropës Perëndimore ashtu siç kishte qenë për shekuj me rradhë. Pjesëtarët e familjeve Bruni dhe Bruti nga Ulqini punonin për interesat e Perëndimit sepse e shikonin veten dhe vendin ku kishin lindur si pjesë të Perëndimit. Ata gjendeshin jo vetem në tokat shqiptare, por kudo nëpër Mesdhe dhe ishin te ngarkuar me misione të rëndësishme si përkthyes, tregëtarë, priftërinj, kalorës, apo këshilltarë politik. Si pasojë, Katoliçismi shqiptar i shekullit te gjashtëmbëdhjetë ishte gjallë dhe i drejtuar nga Perëndimi dhe Selia e Shenjtë. Jo vetëm kaq, por edhe në tokat e pushtuara nga Otomanët, Venediku apo Roma mbanin përfaqesuesit dhe këshilltarët e tyre, si dhe një rrjet të gjerë informatorësh të cilët punonin për të ruajtur interesat e Perëndimit në tokat Shqiptare të cilat gjendeshin në kufirin e dy perandorive: atë venecjane dhe otomane.

Se katërti, libri i Noel Malcolm ka si qëllim t’i pergjigjet historiografisë standarte pikërisht duke evidentuar lidhjet e vjetra të territoreve të Shqipërisë dhe shqiptareve me Perëndimin, një drejtim që i duhet më shumë se kurrë Shqipërisë së sotme të çorientuar kulturalisht, politikisht, dhe nga ana fetare, qeveria e të cilës nuk ka një vizion të qartë për ta bërë vendin anëtare të Bashkimit Evropian. Është e vërtetë që shumë shqiptarë të konvertuar në Islam punuan dhe arritën në majat më të larta te administrates së Perandorisë Otomane gjatë pesë shekujve të pushtimit turk, ashtu siç bënë shumë grekë, serbë, e kroatë, të cilët u treguan më të aftë se shqiptarët në mbrojtjen, kultures dhe fesë se tyre. Por te mos harrojmë se njëkohësisht është historikisht e vërtetë, siç Malcolm provon me sukses, që gjenerata të tëra shqiptarësh nga familje të njohura si Bruni dhe Bruti nga Ulqini kontribuan ndoshta më shumë dhe shume më herët në historinë dhe arritjet e Evropës Perëndimore, arritje dhe kontribute me vlerë që tani kanë filluar të zbulohen dhe të thyejnë heshtjen e gjatë historike (ndoshta te imponuar), dhe që historiografia shqiptare dhe lexuesi shqiptar duhet t’i njohë, vlerësojë, dhe t’u japë vendin e duhur në historinë e vjetër të kombit unik shqiptar.

Comment

*