Liberalizimi i vizave – mashtrimi i dekadës

Prishtinë, 13 tetor 2017 – Po bëhet gati një dekadë prejse liderët politikë të Kosovës kanë filluar ta premtojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Madje disa herë u tha se liberalizimi është “çështje muajsh”. Por, të gjitha këto shpresa i ka përmbysur presidenti Thaçi, i cili i kërkoi homologut të tij, Ilir Meta, shtetësi të Shqipërisë për kosovarët. Analistët politikë thonë se nuk ka liri të lëvizjes përmes një shteti tjetër, shkruan sot, gazeta “Zëri”.

Hashim Thaçi ishte zgjedhur dy herë kryeministër i Kosovës me njërin nga premtimet kryesore në fushata zgjedhore, përpos punësimit, se liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian do të kryhet shumë shpejt.

Një avaz të tillë të premtimeve Thaçi e kishte nisur në vitin 2010, në atë kohë si lider i PDK-së, duke u zotuar se kosovarët do të lëviznin lirshëm drejt BE-së disa muaj pas formimit të Qeverisë. Një rrugë të tillë të Thaçit e ndoqën edhe politikanët e tjerë.

Të tillë ishin ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri i tanishëm, Ramush Haradinaj, si dhe ministri i tanishëm i MPJ-së, Behgjet Pacolli.

Pavarësisht se as pas 7 vjetësh, zotimet për viza nuk i ka realizuar ende, Hashim Thaçi, doli me një opsion tjetër, me idenë që qytetarët kosovarë të pajisen me shtetësi e pasaporta të Shqipërisë, në mënyrë që ata të udhëtojnë lirshëm.

Njohësit e proceseve politike e shohin këtë ide të Thaçit si tentim për ta shfajësuar veten para qytetarëve për dështimet e tij për të pëmbushur premtimet mbi dhjetëvjeçare. Sipas analistëve, nuk ka liri të lëvizjes përmes një shteti tjetër. (r.m.)

Comment

*