Liberalizmi i tregut të energjisë elektrike – nga 1 prilli

Prishtinë, 27 mars 2017 – Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) sot tha se që nga 1 prilli i këtij viti do të bëhet liberalizmi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Krenar Bujupi, ka deklaruar se deri më tani janë licencuar tre furnizues me energji elektrike (Hebi, GSA-ja dhe KESKO komercial), prej të cilëve konsumatorët mund të furnizohen me rrymë. Në fazën e parë në tregun e lirë do të dalin konsumatorët e mëdhenj.

Nga 1 prilli të gjithë konsumatorët janë të lirë dhe të dalin në treg që të negociojnë çmimin e energjisë elektrike.

“Ne si Rregullator kemi vendosur që ta ndajmë tregun në mënyrë graduale, i kemi në nivele të tensionit tarifat dhe më 1 prill të këtij viti i kemi paraparë që të dalin në treg konsumatorët që janë të lidhur me 110 dhe konsumatorët me 220 që janë ‘Feronikeli’ dhe ‘Trepça’ dhe ‘Sharrcem’, që të dalin në tregun e hapur”, tha ushtruesi i detyrës së kryetarit të bordit të ZrrE-së, Krenar Bujupi.

Mirëpo, edhe konsumatorët shtëpiakë do të mund të përzgjedhin furnizuesin me energji elektrike.

Por, sipas tij, për fazën fillestare ZRRE-ja do të vazhdojë t’i caktojë tarifat e energjisë elektrike për këta konsumatorë, duke përfshirë edhe konsumatorët komercialë (bizneset që kanë më pak se 10 milionë qarkullim apo më pak se 50 punëtorë).

Bujupi para bizneseve e ka prezantuar edhe ndryshimin e ri në strukturën tarifore.

Ndarja e deritanishme e çmimit të energjisë në tri blloqe është propozuar nga ZRrE-ja që të hiqet. Përveç kësaj është paralajmëruar edhe heqja e tarifave verë-dimër. ZRrE-ja ka propozuar që të ketë vetëm tarifa të ditës dhe të natës.

Ndërsa Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se deri tani ka pasur shumë ankesa në lidhje me kyqjet nga ana e bizneseve. Kurse tha se shumica e bizneseve e shohin si shumë problematike punën e tarifave.

“Kostoja e energjisë në koston totale të bizneseve në 70 për qind të rasteve i ofrohet 25 për qind të rasteve të operimit të bizneseve. Mbi 50 për qind të bizneseve kanë deklaru që kanë bërë investime shtesë për të rritë sigurinë e furnizimit ndërsa 70 për qind kanë deklaruar se kanë bërë shpenzime shtesë për të bërë kyqjen në biznes”, tha Rukiqi.

Bizneset u ankuan që po kanë humbje të mëdha shkaku i mosparalajmërimeve për reduktimet e rrymës që kanë në zonat e tyre.

“Si mungesë e energjisë elektrike dhe mosparalajmërimit për ndalje, kemi pasur dëme deri në 100 mijë euro dhe askush s’ka ardhë me na i kompensu. Shumica e rajoneve po kanë paralajmërime se kur punohet dhe ka shkëputje nga energjia elektrike, por neve kërkush s’na lajmëron, vetëm e ndalin kur t’u teket”, tha Fitim Halimi, përfaqësues i kompanisë së ujit “Alpe”, nga Prishtina.

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut (KMLDNj), të cilët kanë thënë se ndryshimet e paralajmëruara shkojnë në dëm të konsumatorit shkaku se ajo kohë llogaritet si kohë e gjumit dhe nuk mund të përdoret në mënyrë optimale nga konsumatorët.

“Periudha natë/ditë duhet të ndahet 50% – 50% që nënkupton se 12 orë duhet të llogariten tarifë ditore e 12 orë tarifë e natës. Ashtu llogariten tarifat dimër/verë. Konsumatori duhet të paguajë vetëm rrymën që e shpenzon e jo edhe borxhin e të tjerëve sikur që janë ata të veriut të Kosovës sikur që konsumatorët nuk duhet të paguajnë investimet kapitale apo dështimet e tjera të operatorëve që do të furnizojnë me energji elektrike”.

/Kallxo.com/

Comment

*