Libri “Korrigjimi” i Kufirit Kosovë – Serbi dhe “Bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën” në format elektronik

Prishtinë, 27 prill 2020 – Libri “Korrigjimi” i Kufirit Kosovë – Serbi dhe “Bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën” (Një elaborim analitik-shkencor), i Akademik Hivzi Islamit dhe Prof. dr. Arsim Ejupit, është publikuar këto ditë edhe në formatin elektronik.

Ky libër e trajton në mënyrë shumëdimensionale temën më të nxehtë të ditëve të sotme – planin apo projektin për ndryshimin e kufirit midis Kosovës e Serbisë, që në publik është plasuar me emërtime të ndryshme, si: “korrigjim kufijsh”apo “shkëmbim territoresh” mes Kosovës e Serbisë, “bashkim i Luginës së Preshevës me Kosovën”, “shpërkufizim mes Serbëve dhe shqiptarëve” ose “ndarje e Kosovës”.

Autorët, pas analizës së të gjithë elementëve të këtij projekti, tërheqin vërejtjen se jetësimi i tij do të çonte deri në zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ata i bëjnë thirrje publike faktorit politik shqiptar – në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe në Shqipëri – si edhe faktorëve ndërkombëtarë që të hedhin poshtë çfarëdo projekti që do të cenonte integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.

Në përshkrimin e publikimit të librit në internet thuhet:

Libri “Korrigjimi” i Kufirit Kosovë – Serbi dhe “Bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën!,shkruar nga Akademik Hivzi Islami dhe Prof. dr. Arsim Ejupi, (Një elaborim analitik-shkencor), është thirrja me serioze shkencore e dijetarëve në Kosovë qe të ndalen daullet dhe fjalët për cënimin e tërësisë territoriale të Kosovës.

Diskursi më i neveritshëm dhe më i tensionuar për ndryshimin e kufijve midis Kosovës e Serbisë dhe “përkufizimit midis shqiptarëve dhe serbëve” si ide dhe plan i vjetër serb, me pasoja shumë të dëmshme për pavarësinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial të Kosovës deri në zhbërjen e tyre, e përshkoi veçanërisht gjysmën e dytë të vitit 2018! Ndarja territoriale-etnike e Kosovës dhe “përkufizimi midis shqiptarëve dhe serbëve” (ideja nga Qosiqi e viteve të 60-ta deri Vuçiqi i sotëm) deri te “Konfederata” e Kosovës me Shqipërinë apo “bashkimin” e tyre sot (Hashim Thaçi) do të shënonte mosekzistimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, sikundër që copëtimi i Luginës do ta fshinte atë si entitet territorial-politik. Këto janë qëllimet themelore të Serbisë që nga fundi i viteve të 60-ta të shekullit të kaluar.

Nga elaborimi i të gjitha dimensioneve gjeohapësinore, gjeopolitike dhe etnodemografike, sasisë dhe cilësisë së resurseve, rezulton përfundimi se me ndarjen e Kosovës dhe me copëtimin e Luginës, me kusht që të merrej edhe hekurudha dhe autostrada (Korridori 10), humbëse janë Kosova dhe Lugina, ndërsa fituese del vetëm Serbia, madje me vetë idenë dhe nismën e “korrigjimit” të kufirit. Fituesi i dytë, natyrisht, është mikja e Serbisë, Rusia. Prandaj, është trishtuese të preken kufijtë ekzistues. Sipas sondazheve të bëra në Kosovë këto kohët e fundit, së paku 90% e qytetarëve të saj – shqiptarë, serbë e të tjerë – e kundërshtojnë “korrigjimin” e kufirit, ndërsa kundër është i gjithë spektri politik i Kosovës.

Formati elektronik i librit të “Korrigjimi” i Kufirit Kosovë – Serbi dhe “Bashkimi” i Luginës së Preshevës me Kosovën” është publikuar në internet nga shtëpia botuese “Klubi i Poezisë” nga Tirana.

Të interesuarit librin mund ta gjejnë në linqet e mëposhtme:

https://www.smashwords.com/books/view/1017321

https://books.apple.com/ca/book/korrigjimi-i-kufirit-kosov%C3%AB-serbi-dhe-bashkimi-i-lugin%C3%ABs/id1509825468

https://www.barnesandnoble.com/w/korrigjimi-i-kufirit-kosove-serbi-dhe-bashkimi-i-lugines-se-presheves-me-kosoven-hivzi-islami/1136917077?ean=2940164050504

https://www.kobo.com/ca/en/ebook/korrigjimi-i-kufirit-kosove-serbi-dhe-bashkimi-i-lugines-se-presheves-me-kosoven

https://www.lafeltrinelli.it/ebook/hivzi-islami/%E2%80%9Ckorrigjimi%E2%80%9D-i-kufirit-kosoveserbi-dhe/9780463317006

https://books.mondadoristore.it/Korrigjimi-Kufirit-Arsim-Ejupi-Hivzi-Islami/eae978046331700/

 

Comment

*