Libri “Pa atdhe” i poetes shqiptare Irma Kurti nderohet me çmim të parë në Itali

Poetja dhe shkrimtarja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në Edicionin e XXIII-të të Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë: “Poseidonia- Paestum” në (Salerno) të Italisë, në seksionin e autorëve të huaj me librin “Senza patria”(Pa atdhe). Juria e konkursit drejtohej nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Ermanno Corsi si dhe personalitete të tjera të botës letrare italiane.
Nga parathënia e librit, shkruar nga gazetarja Grazia Pia Licheri veçojmë: “Krijime të shkurtra, që shprehin të gjithë kontradiktat e ekzistencës njerëzore me vetëdije të kthjellët dhe të ekuilibruar, larg tendencës për të rënë në mëshirë dhe përdëllim. Me një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një univers ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit mbi temat intime dhe ekzistenciale. Poetja shkon drejt e në zemër të lexuesit, duke rrëzuar si gjithnjë idenë se poezia është mjet vetëm për disa të zgjedhur, sepse format e të treguarit të mbushura me ornamente të tepërta dhe truket letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj”.
Irma Kurti ka nisur të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në publikun shqiptar ajo njihet si krijuese e talentuar dhe e suksesshme e teksteve të këngëve të muzikës së lehtë. Është pjesëmarrëse në dhjetra anketa muzikore, festivale kombëtare në RTSH e në koncerte pranvere dhe plot krijime të saj janë nderuar me çmime.
Irma Kurti ka botuar 15 libra në gjuhën shqipe si dhe nëntë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në anglisht, frengjisht, spanjisht dhe gjermanisht. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Comment

*