Libri “Refleksione arsimore” – një skaner i sistemit arsimor të Kosovës

Prishtinë, 1 shkurt 2018 – Libri “Refleksione arsimore” (Vështrim kritik për zhvillimet në sistemin e arsimit, 2000-2017) i Azem Azemit do të zgjojë kërshërinë e vrojtuesve të vëmendshëm të sistemit të arsimit në Kosovë, sidomos të atyre që në mënyrë direkte ose indirekte kanë të bëjnë me këtë sistem.

Ky vlerësim u shpreh në promovimin solemn të librit, në Prishtinë, ku u mblodhën edhe protagonistë të rëndësishëm të sistemit të pavarur arsimor të Kosovës të viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe protagonistë në proceset arsimore të periudhës së pasluftës.

Munish Hyseni, njohës shumë i mirë i sistemit të arsimit në Kosovën e okupuar, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, e cilësoi librin e Azemit “një libër kritik e argumentues për proceset, ndryshimet, politizimet, përgjegjësitë, dështimet dhe vështirësitë e shumta në zhvillimin e arsimit në Kosovë”.

Hyseni tha se autori i librit, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në proceset nëpër të cilat ka kaluar sistemi i arsimit në Kosovë, para dhe pas luftës, përcjell nota të forta kritike ndaj të gjithë atyre që janë përgjegjës për dështimet e këtij sistemi.

Ai tha se libri “Refleksione arsimore” i Azem Azemit sjell në përmasa reale gjendjen aktuale në arsimin e Kosovës, por edhe qasjen ndaj sistemit arsimor.

“Ky libër ka një peshë të veçantë sot, sepse shkon përtej zhurmës e tymnajës së turmave e politikanëve mediokër, përtej indiferencës së profesionistëve të fushës, përtej deklaratave e slloganeve të atyre që arsimin e shohin jo si përgjegjësi, por si konformizëm, si rehati personale, klanore e partiake që e mohon paturpësisht potencialin dhe fuqinë intelektuale’, theksoi Munish Hyseni.

Zijadin Gashi, i cili ka qenë për shumë vjet një ndër udhëheqësit kryesorë të sistemit të arsimit të pavarur në kohën e okupimit të Kosovës, e vlerësoi librin e Azemit jo thjesht si një kronikë të kohës, por si një analizë të detajuar kritike nga e cila mund të nxirren mësime të shumta.

Gashi tha se libri nxjerr në pah dobësitë e sistemit arsimor të Kosovës, në të gjitha hallkat e zingjirit të tij, duke filluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, më saktë e ministrave dhe e stafit politik të tyre. Ai tha se libri sjell plot argumente se sistemi i arsimit në Kosovë është degraduar vazhdimisht, më së shumti nga ata që kanë qenë përgjegjës për ngritjen e përmirësimin e këtij sistemi.

Xhavit Rexhaj, ekspert i fushës së arsimit dhe njohës i mirë i sistemit arsimot të Kosovës, e cilësoi autorin e librit “Refleksione arsimore” më shumë se “një kronist”, më shumë se “një shkrues” dhe më shumë se “një dëshmitar”.

“… pos pasurisë së theksuar të informacioneve e të dhënave objektive, këtu vërejmë edhe angazhim më personal, involvim të autorit, kredhje, rezignim, zhgënjim, shpresë, aty-këtu entuziazëm, e të tjera”, tha Rexhaj.

“Mund të quhet ky edhe libër i paradokseve të një sistemi arsimor: për shembull, departmaneti i politikave arsimore që merret me gjithçka pos me politika arsimore, rekrutimet dhe avancimet që nuk bazohen në meritë, procese disavjeçare reformuese që fillojnë e mbarojnë brenda një jave, licencim i mësimdhënësve që kryhet me rishkrimin e një vendimi dhe proklamohet si risi dhe si proces i përfunduar, e të tjera”, shtoi ai.

“Mendoj se i tërë libri është në shërbim të faktimit të një gjendjeje të tillë të sistemit arsimor në Kosovë”, theksoi ndër të tjera Xhavit Rexhaj.

Vetë autori, Azem Azemi, e quajti librin e tij si një përpjekje për pasqyrimin e gjendjes reale në fushën e arsimit në Kosovë. Ai tha se duke qenë edhe vetë pjesë e këtij sistemi, ka vërejtur një degradim të pamëshirshëm të sistemit arsimor, kryekëput për faj të politikës e të politikbërësve.

Azemi theksoi se nevojitet një përkushtim i veçantë shoqëror dhe një proces shumë gjithëpërfshirës për përmirësimin e gjendjes së arsimit në Kosovë, në radhë të parë duke përjashtuar ndërhyjet politike në këtë sistem. Ai ka theksuar se ky proces nuk mund të japë shpejt rezultate dhe solli ndërmend se reforma më e shpejtë e sistemit arsimor në botë ka zgjatur 15 vjet.

(Ramadan Muçolli)

Comment

*