Liderët shqiptarë përhapin mendësi joperëndimore

Ndue Ukaj

Don Kishoti do t’ua kishte lakmi aventurave të udhëheqësve shqiptarë. Pa e mbarur një, e fillojnë një tjetër.

Arrogantë, si “dhija e zgjebosur me bishtin përpjetë”, ata bëhen sikur janë në pozicionet e tyre, për t’i ndrequr punët e botës, ndërkaq, harrojnë se shtet që ata përfaqësojnë janë më të prapambeturat në Europë, në pikë kritike, e bashkëkombësit e tyre, për një copë bukë dhe për pak dinjitet, përditë ia mësyjnë Europës, fushave dhe maleve.

Sot, Parlamenti Europian, miratoi rekomandimin për heqjen e vizave Kosovës, ndërkaq, ajo që më bëri përshtypje pas këtij akti tejet pozitiv, ishte një deklaratë arrogante dhe plot pezëm politik e Edi Ramës:

“Shyqyr që Parlamenti Europian e hoqi nga vetja njollën me të cilën Europa ka kaq vjet që cënon flamurin e vet duke mos hequr vizat për Kosovën!”

Kjo mendësia e stigmatizimit të Europës është e vjetër dhe, si e tillë, tejet e dëmshme për të ardhmen e shqiptarëve. Për mua, pikërisht kjo mendësi e ka çorientuar politikën shqiptare, andej e këndej kufirit, duke krijuar njëherësh terren që në hapësirat tona të veprojnë shtet tjera, natyrisht joeropiane.

Po sot, një eksponentët politik i VV-së në Tiranë, Elvis Hoxha, me një gjuhë të pështirë, e sulmoi përfaqësuesen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherinin.

Kjo gjuhë kundër Europës, ndër vite, ka formuar një mendësi joperëndimore dhe kjo i shkon më së shumti për shtati Serbisë dhe aleatëve të saj tradicionalë.

Këto kukurisjet kundër Europës, duke kërkuar nga ajo që të heqë njollën e zezë, në thelb janë qyqare. Janë përpjekje për të justifikuar paaftësinë tone për t’u bashkuar, për të qeverisë mirë dhe për të ecë krah për krah me popujt e përparuar.

Pa dyshim, Europa, mund të ketë bërë gabime me ne, por të mirat që i kemi nga ajo janë shumë më të mëdha sesa të këqijat.

Pra, ne duhet t’i heqim njollat e zeza nga vetvetja dhe të jemi të sinqertë me vetveten dhe më të tjerët.

Është mëkat i madh, nëse e edukojmë edhe një brez me mendësi joeuropiane, duke ia ngulitur në mëndje se, të këqijat tona janë diku larg nesh, në Europë.

Jo, të këqijat tona nuk janë jashtë nesh.

Deri me sot, duke mos qenë të sinqertë me perëndimin, me gjepura dhe mashtrime politike, nuk kemi arritë të përfitojmë nga të mirat e shumta që zotëron perëndimi.

Comment

*