Lidhur me udhëtimet jashte Amerikës në prag festash

Avokati Kieran Both

Kujdes, mos udhëtoni jashtë Amerikës nëqoftëse keni qënë në këtë vend pa status për një periudhë kohe.   

Mos udhëtoni në vendin tuaj  prej nga jeni larguar e keni deklaruar se “keni frikë  nga persekutimi, po qe se ktheheni sërish atje”.

 

Në këtë periudhë festash të fundvitit ka  mjaft emigrantë që kanë marrë statusin e azilantit dhe duan të dalin jashtë SHBA për të gëzuar me njerëzit e tyre e të kthehen përsëri këtu. Nuk duhet ta bëni këtë pa u konsultuar më parë me avokatë  me eksperiencë të Emigracionit. Ndodh që Emigracioni të lëshojë dokument udhëtimi (Travel document) për një individ i cili mund të mos jetë i ligjshëm për të  ri-hyrë në SHBA, pas kthimit nga udhëtimi.

Njëkohësisht, ka shumë të tjerë që janë në pritje të aprovimit të dokumentave të tyre për azil. Një person i tillë nuk mund të rrezikojë duke udhëtuar jashtë Amerikës edhe pse mund të ketë një dokument udhëtimi të aprovuar nga  Shërbimi i Emigracionit (USCIS ).

Dokumenti “ advance parole” megjithëse mund ta lejojë kthimin e personit në SHBA, dalja e tij nga ky vend mund t’i kushtojë atij  3 deri 10 vjet ndalim për të rihyrë , nëqoftëse ka patur  më parë  një periudhë qëndrimi të paligjshëm. “Prezenca e paligjshme” në Amerikë përkufizohet si qëndrim  në këtë vend pa u inspektuar  nga  Emigracioni në momentin e hyrjes, si edhe qëndrimi në këtë vend pasi  ka kaluar koha e authorizuar nga Emigracioni.

Dëshirojmë t’i këshillojmë lexuesit tanë të interesuar mbi këtë çeshtje, të  kenë kujdes. Një individ  i cili ka qënë prezent në mënyrë të paligjshme në Amerikë, për një periudhë prej më shumë  se 180 ditësh, por më pak se një vit, (dhe që e le Amerikën vullnetarisht para se procesi për deportimin e tij të ketë filluar) nuk mund të kthehet sërish në Amerikë,pa kaluar të paktën 3 vjet nga data e nisjes.  Një individ i cili ka qënë prezent ilegalisht në Amerikë për një periudhë prej një viti apo më shumë, mund t’i ndalohet rihyrja për 10 vjet, pavarësisht se ai apo ajo e ka lënë Amerikën para se të fillojë procesi i deportimit së saj/ tij, apo gjatë procesit të deportimit.

Çfarë duhet patur parasysh në udhëtimet  e gjata  jashtë Amerikës?

Për ata qe kanë aplikuar për azil politik:  Ai person që ka kërkuar azil politik dhe udhëton jashtë SHBA , pa marre  më parë leje (Advance parole )nga Shërbimi i  Emigracionit  konsiderohet se e ka braktisuar kërkesën e tij për azil.  Advance parole e lejon aplikantin për t’u rikthyer në SHBA pa qënë e nevojshme për të marrë vizë për të rihyrë këtu, por pavarësisht nga kjo, në kthim personi i nënshtrohet inspektimit të Emigracionit.
Azilantët-  (Asylees) – dmth ata që e kanë fituar tashmë azilin, janë te lejuar të udhëtojnë jashtë SHBA pasi të kenë marrë  nga emigracioni dokumentin e udhëtimit. Ky është i vlefshëm për një vit dhe i jep mundësinë azilantit të rikthehet në SHBA pas një udhëtimi të përkohshëm që bën jashtë shtetit. Zakonisht dokumenti i udhëtimit merret  këtu(SHBA) para nisjes për udhëtim por në ndonjë një rast të veçantë i lëshohet atij edhe kur ndodhet jashtë Amerikës. Kthimi në vendin prej nga aplikanti ka ikur për shkak të frikës nga persekutimi, mund të bëhet shkak për ndërprerje të statusit të azilit politik; kjo  mbi  bazën e arsyeve të ndryshme si psh.ndryshime të dukshme e  të thella në rrethanat e atij vendi, ose heqje e statusit të azilantit për shkak të mashtrimit të përdorur për ta fituar atë, pa qënë i ligjshëm. Rikthimi në atdhe mund të konsiderohet si nje tregues që frika e aplikantit ndaj persekutimit atje nuk është e vërtetë.
Rezidentët e përhershëm. Një individi mund t’i hiqet statusi, edhe pse ai mund të ketë marrë  green card,  si pasojë e kthimit në vendin prej nga ka ikur duke kërkuar azil në SHBA, për shkaqe të parashikuara sipas ligjit INA § 208 (c)(2)
Një azilanti apo rezidenti të përhershëm që e ka fituar këtë status mbi bazën e azilit  pas shkuarjes në vendlindje, duhet të jetë i përgatitur  t’i nënshtrohet pyetjeve e se pse shkoi në vëndin prej nga ka ikur duke kërkuar azil në Amerikë. Në kushte të tilla ai mund të behet subjekt  deportimi nga Amerika.
Kohët e fundit jemi berë dëshmitarë të rasteve të deportimit nga Shërbimi i Emigracionit dhe  Departamendi i Sigurise se Vendit të individëve të cilët janë rikthyer në vendin ku kanë deklaruar se  kanë qënë persekutuar më parë. I sugjerojmë ata që kanë  udhëtuar në Shqipëri  me statusin e azilantit qe përpara se të mbushin dokumentat për green card të konsultohen me avokate më përvojë. Ka ndodhur  që  individëve t’u hiqet statusi pasi kanë mbushur formularët për green card, pasi USCIS bën kontrolle gjithë kohës që në procesin e studimit të formularëve për green card-ës për aplikantin

Nëse një person ka green card, ( rezident permanent ) nuk mund të qëndrojë më shumë se një vit larg Amerikës pa pat siguruar  që më parë një leje  ri-hyrje ( Re-Entry permit)  për në Amerikë.

Re-Entry permit eshte e vlefshme për dy vjet dhe mund të rinovohet. Kërkesa që bëhet për të i tregon Shërbimit te Emigracionit që ky person ka për qëllim që ta ruajë statusin e vet të banorit të përhershëm të SHBA, e nuk do ta braktisë atë edhe pse i duhet të qëndrojë gjatë jashtë territorit te SHBA.Gjithashtu residenti i përhershëm duhet të jetë i ndërgjegjshëm se  Emigracioni i njeh të drejtën vetes  për të hetuar apo verifikuar e për të kërkuar prova që  personi në fjalë vërtet vazhdon ta mbajë banesën e tij këtu si edhe gjithcka tjetër që e lidh me këtë vend. Personi në fjalë mund të vihet në provë në momentin e ri-mbërritjes në SHBA, pra që në aeroport, edhe sikur kthehet brenda vitit.

Pagimi i taksave, llogaritë bankare, vërtetimi i pronësisë mbi banesën si edhe të tjera janë të rëndësishme për të provuar e siguruar vazhdimësinë e statusit të banorit të përhershem të SHBA. Individi që bën  plan të udhëtojë jashtë Amerikës për një kohë të gjatë  duhet t’i ketë parasysh të gjitha këto faktorë  që përpara se të udhëtojë . Ai duhet të ruajnë të gjitha dokumentat që lidhen me këto që thamë më lart për t’i paraqitur kur t’i kërkohen.

Së fundi, qëndrimi i zgjatur jashte kufijve të SHBA  i ndikon personit në kërkesën që do të bëjë për shtetësinë Amerikanë.  Ne u sugjerojmë lexuesve që të konsultohen me avokatë me përvojë të emigracionit për situatat e tyre të veçanta. Informacion plotësues mund të gjeni  në internet në faqen e Shërbimit të emigracionit e shtetësisë amerikane tek  www.uscis.gov.

Qëllimi ynë është t’i shërbejmë komunitetit shqiptar dhe emigrantëve të rinj me informacion për t’i aftësuar ata që të kërkojnë ndihmë në mënyre të pavarur.

Inkurajojmë pyetjet  dhe sugjerimet tuaja,  në shqip ose anglisht,  via e-mail  tek adresa [email protected]

 

Comment

*