Ligji për media – i panevojshëm

Flutura Kusari

Ligji për media nuk është i nevojshëm në Kosovë, sepse veprimtaria e mediave kosovare është përgjithësisht e rregulluar me ligje të veçanta. Nisma ligjore do të shkaktojë kaos juridik duke shtyrë shfuqizimin e të paktën tetë ligjeve që rregullojnë mediat.

 

Pas nismës së dështuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme që donte të “rregullonte” lajmet e rreme përmes Kodit Penal, duke i trajtuar ato si gjuhë të urrejtjes, deputetët e Kosovës janë duke testuar mundësi tjera të rregullimit të mediave online – njëjtë të gabuara.

Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, më 7 maj 2018 nënshkruan nismën për hartimin e Draftligjit për mediat në Kosovë. Iniciativa synon ‘disiplinimin’ e mediave online, bazohet në informacione të gabuara dhe shpërfaq mosinformimin e duhur të deputetëve inicues rreth rregullimit të mediave. Ajo duket si tenativë e radhës për të censuruar mediat në emër të rregullimit të tyre.

Mediat rregullohen kryesisht përmes dy modeleve: me ligj të përgjithshëm, ose me ligje të veçanta (lex specialis). Sipas modelit të parë që zbatohet në Austri, një ligj organik rregullon shumicën e aspekteve që kanë të bëjnë me punën e gazetarëve. Aspekte të tilla janë shpifja, privatësia, konfiskimi i materialeve gazetareske, të drejtat e autorit, e drejta e qasjes në informacion etj. Sipas modelit të dytë që aplikohet në Mbretërinë e Bashkuar, këto aspekte rregullohen me ligje të veçanta. Nuk ka asnjë argument bindës që dëshmon se prania e një ligji të përgjithshëm e bën sferën e mediave më të lirë dhe më të avancuar për kah rregullimi.

 

Nisma do të merrte kohë

 

Që nga shpallja e pavarësisë (edhe më herët), ligjvënësit në Kosovë kanë ndjekur modelin e dytë të rregullimit të mediave. Ky model ofron mbrojtje më të madhe për media, ngase mundëson që një aspekt, për shembull, mbrojtja e burimeve të gazetarëve, të rregullohet detajisht.

Shumica e aspekteve që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mediave në Kosovë janë të rregulluara me të paktën tetë ligje (ose nene në ligje të caktuara). Legjislacioni është draftuar nën monitorim të rreptë të komunitetit ndërkombëtar. Disa nga këto ligje janë: Ligji Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, Ligji për Qasje në Dokumente Publike, Ligji për të Drejtat e Autorit, Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, Ligji për Radio- Televizionin e Kosovës, Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve dhe Kodi Penal (nenet që kanë të bëjnë me sigurinë e gazetarëve).

Pas një dekade të rregullimit të mediave me ligje të veçanta, nisma për hartimin e një ligji të përgjithshëm për media tenton të ndryshojë tërësisht dhe konceptualisht mënyrën e rregullimit të mediave në Kosovë. Kjo do të nënkuptonte që ligjet e lartpërmendura do të duhej të shfuqizoheshin dhe të gjitha këto aspekte do të rregulloheshin me një ligj. Kjo ndërmarrje do të ishte vështirë e realizueshme dhe do të shkaktonte kaos ligjor të panevojshëm në fushën e të drejtës së medias.

 

Nisma do të çonte huq investimin e deritashëm

 

Në veçanti, ndryshimi i legjislacionit për mbrojtjen nga shpifja dhe fyerja do të ishte tejet shqetësues në relacion me gjyqësorin. Gjykatësve në Kosovë u janë dashur gjashtë vjet për t’u trajnuar se si të zbatojnë Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes në rastet e padive për shpifje kundër gazetarëve. Një ligj i ri do të nënkuptonte që përpjekjet e deritanishme në përgatitjen e gjyqësorit për t’i trajtuar rastet e shpifjes do të shkonin huq dhe do të hapte mundësinë që politikanët përsëri të tentonin kriminalizimin e shpifjes.

Është e vërtetë që disa nga këto ligje nuk janë tërësisht në pajtim me praktikat e Këshillit të Europës dhe Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, siç është rasti me ligjin që rregullon mbrojtjen e sinjalizuesve. Ligjet e këtilla duhet të amendamentohen, mirëpo ndryshimi duhet të bëhet një nga një dhe vetëm pasi Komisioni për Media i Kuvendit ta bëjë monitorimin e zbatimit të tyre, gjë që ka dështuar ta bëjë deri më tani.

 

Nisma synon censurimin

 

Problematik është edhe fakti që deputetët janë dakorduar për fillimin e hartimit të ligjit për media pa konsultuar gazetarët dhe pa ofruar analizë ligjore paraprake që do të arsyetonte nevojën për një ligj të ri. Në transkriptin e mbledhjes së komisionit në të cilin është vendosur për hartimin e këtij ligji nuk ofrohen detaje të diskutimeve që mund të jenë zhvilluar në mes të deputetëve.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Nait Hasani, deklaroi se deputetët janë inspiruar nga një vizitë studimore e bërë në Itali duke iu referuar ‘ligjit për media’ të këtij vendi. Në fakt, në Itali nuk është aprovuar ndonjë ligj i përgjithshëm për media siç pretendon Hasani. Në këtë vend në vitin 2013 kishte pasur iniciativë ligjore për dekriminalizimin e shpifjes. Draftligji ende nuk është aprovuar nga parlamenti dhe Italia mbetet ndër vendet më të kritikuara sa i përket legjislacionit për media dhe nuk duhet të merret si shembull pozitiv.

Por, ndonëse nuk janë dhënë arsyetime, janë dhënë sinjale për qëllimin e vërtetë të kësaj iniciative: censurimin e mediave online.

Deputeti Hasani thoshte se “Me këtë [ligj] kërkojmë t’i regjistrojmë, t’i disiplinojmë ato portale të cilat nuk janë [të regjistruara]. Lajmet e rreme janë pjesë e proceseve që me anë të ligjit duhet të [adresohen]. Besoj që ky ligj për media do t’i vëjë në kontroll [mediat]”.

Ky arsyetim bazohet  në iluzionin se mediat online mund të “kontrollohen dhe disiplinohen”.

Gjatë viteve të fundit janë organizuar qindra diskutime për lajmet e rreme në nivel shtetëror, europian dhe global. Por, ato nuk kanë rezultuar në hapa konkretë legjislativë për shkak të frikës se mund të cenojnë lirinë e shprehjes.

Mediat audio-vizuele (televizionet dhe radiot) rregullohen nga shteti, përkatësisht nga Komisioni i Pavarur për Media, për shkak se hapësira e frekuencës është e kufizuar dhe shteti duhet të sigurojë ndarjen e tyre në atë mënyrë që të garantojë pluralizëm në media. Mediat online dhe të printuara vetërregullohen nga industria e mediave përmes Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, model ky i ndjekur në shumicën e vendeve në Europë dhe i pranuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës. Braktisja e vetërregullimit të mediave, si është duke u tentuar, do të jetë e pamundur dhe me të drejtë do të hasë në rezistencë nga industria e mediave dhe komuniteti ndërkombëtar që monitoron lirinë e shprehjes në vend.

Deputetët inicues duhet të tërheqin nismën për hartimin e ligjit për media për shkak se me të nuk do të mund të rregullohen mediat online ashtu siç pretendojnë ata. Ata duhet të fokusohen në monitorimin e zbatimit të ligjeve ekzistuese për media dhe të miratojnë ligje vërtet të nevojshme për shoqërinë.

 

(Autorja është juriste e së drejtës së medias. Punon në fushën e lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit. Ky shkrim është publikuar në blogun “S’bunker”) 

Comment

*