Limaj dhe Krasniqi shpalosin “Nismën për Kosovën”

Dy ish-zyrtarët e lartë të PDK-së prezantuan subjektin e tyre politik para dhjetëra përkrahëseve të tyre në “sallën e kuqe” të pallatit të rinisë në Prishtinë

 

Prishtinë, 28 shkurt 2014 – Dy zyrtarët e lartë të PDK-së, njeri deputet e tjetri Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, kanë prezantuar të premten pas dite para dhjetëra përkrahëseve të tyre në ‘sallën e kuqe’ të pallatit të rinisë në Prishtinë, subjektin e tyre politikë ‘Nisma për Kosovën’.

Kryetari i kësaj nisme është proklamuar Fatmir Limaj. Ky i fundit ka thënë se “kudo që kemi shkuar na kanë pyetur se kur po ia nisni. E sot po themi se po ia nisim, nga sot Kosova ka nismë të re dhe alternativë të re politike”. “Sot nuk është thjeshte krijimi i një partie politike më tepër, por është dëshmi se po ndodh ndryshimi. Po na bashkon vizioni, guximi për të ndryshuar dhe shpresa për të vazhduar. Është mëkat të bësh politikë pa parime. Nisma do të ketë parime të bazuara në lidership ekipor e në profesionalizëm”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Nisma synon të ndërtoj një shtet ligjor, i cili kujdeset për qytetarët. “Le të jetë ky fillimi ynë i mbarë. Kjo nismë është për Ju. Zoti na e ndihmoftë këtë nismë të re për atdheun tonë. Zoti na ndihmoftë të gjithëve”, me këto fjalë Limaj e ka përmbyllur fjalimin.

Ndersa Jakup Krasniqi ka pohuar se kam obligim që t’ju njoftoj se të gjithë ju që jeni këtu, jeni themelues të nismës për shtetin e së drejtës që siguron shtet të së drejtës.

“Ne jemi këtu për ta përmbyllur konsolidim,in e shtetit të së drejtës. Sot betohem se cilido nga ne që merr guximin ta lëshoj rrugën që po e parakalojmë para jush do të jem i pari që do t’i kundërvihem dhe pa asnjë hezitim. I ftojmë qytetarët të na bashkohen që ta bëjmë Kosovën shtet ligjor”, tha ai. Krasniqi më tutje ka thënë se ne do të mbështesim çdo nismë për të pamundësuar vjedhjen e votave. Autoritarizmi e tirania e kanë ngufatur aspiratën për funksionimin e shtetit. Privilegjet individuale të disa personave kanë dëmtuar shumë Kosovën dhe kanë nxitur emigrimin e qytetarëve.

(B.Salihu)

Comment

*