Limaj i përgjigjet Erdoganit: Askush s’mund ta kërcënojë Kryeministrin e Kosovës

Prishtinë, 31 mars 2018 – Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ai  ka thënë se deportimi i shtetasve turq “shpërfaq më së miri defektet serioze të segmenteve të caktuara të vendit”.

Ai ka thënë se Nisma do të angazhohet në Kuvend dhe në Qeveri që çështja e deportimit të ndriçohet deri në fund dhe do të kërkojë përgjegjësi për urdhërdhënësit.

“Ne nuk do të ndalemi, por do të hetojmë deri në fund dhe me asnjëherë në Kosovë nuk guxojnë të ndodhin veprime të tilla. Këto veprime nuk përfaqësojnë interesin e Kosovës, por të individëve të caktuar”, ka thënë Limaj, në një tubim të degës së partisë së tij në Prizren.

Limaj ka thënë se deportimi i gylenistëve bie ndesh me vlerat tradicionale shqiptare.

“Vlera më e madhe e popullit shqiptar është mikpritja. Asnjëherë Kosova nuk ka prerë në besë dhe nuk ka dorëzuar njerëz, siç ka ndodhur ditë më parë. Kjo nuk është vepër e qytetarëve të Kosovës, por vepër e kryer nga agjenda të dyshimta”, është shprehur ai, transmeton Indeksonline.

Sipas Limajt, deportimi i gylenistëve në Turqi dëshmon se në Kosovë ka segmente të shtetit që kanë agjenda “të dyshimta”

“Kjo që ka ndodhur para dy ditësh dëshmon se ka segmente të cilat duhet të lirohen nga gjenda të panjohura, të dyshimta, të cilat nuk janë në shërbim të vendit”, është shprehur ai.

“Kjo duhet të shërbejë si mësim për drejtuesit e segmenteve të sigurisë që të kenë kujdes, sepse ata janë për t’i shërbyer vendit dhe të punojnë në linjë me ligjin e jo t’u shërbejnë agjendave të panjohura”, ka shtuar Limaj .

“Të tillët nuk do të kenë vend në institucionet e Kosovës. Elementët e tillë askush s’do t’i mbrojë edhe ata që i angazhojnë për agjenda individuale”, ka theksuar ai.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës ka reaguar edhe lidhur me kërcënimin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Ne e respektojmë dhe nderojmë miqësinë që kanë shfaqur vendet mike. Ne jemi të përkushtuar ta ruajmë këtë miqësi, por kjo nuk nënkupton se ne do të jemi vazalë të një shteti. Porosia ime është që askush dhe asgjë nuk mund ta kërcënojë kryeministrin e Kosovës, përveç popullit. Asnjë shtet dhe asnjë lider nuk mund të na drejtojë kush duhet të qeverisë në Kosovë”, ka thënë Limaj, gjatë një tubimi partiak në Prizren.

Ai ka theksuar se Presidenti i Turqisë duhet ta dijë se “Kosova nuk e shkëmben miqësinë me vazalitet”. (r.m.)

Comment

*