Limaj i quan të papranueshme deklaratat për “korrigjim” të kufijve

Prishtinë, 3 gusht 2018 – Fatmir Limaj zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryetar i partisë Nisma Socialdemokrate, i vlerëson si të papranueshme deklaratat e Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për “korrigjim” të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

“Kemi obligim të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe deklarimet për korrigjim të kufijve nga bartësit e institucioneve janë të papranueshme”, ka thënë Limaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Kjo jo vetëm që nuk ndihmon, por i dëmton përpjekjet për ndërtim konsensusi, e dëmton dhe besueshmërinë në procesin që vjen, fut pa nevojë frikë dhe panik dhe, mbi të gjitha, është në kundërshtim me detyrat që i kemi. Praktikisht, janë deklarime jashtë Kushtetutës dhe kjo nuk do të duhej të ndodhte nga bartësit e institucioneve”, ka shtuar ai.

Limaj ka theksuar se Kosova nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që e cenon tërësinë territoriale të saj apo që e minon karakterin unitar të shtetit të Kosovës.

“Askush në Kosovë, asnjë bartës i institucioneve, asnjëri nga ne, as nuk kemi të drejt as nuk do të mundemi, edhe po të donim ta bënim një gjë të tillë. Kosova është më e madhe se bartësit e institucioneve. Jemi duke folur për një çështje jetike, në Kosovë Republika Serbe kurrë nuk do të ketë, kurrë kosovarët nuk do ta pranojnë. Po them qytetarët e Kosovës kurrë nuk kanë për ta pranuar. Ne nuk do ta pranojmë një gjë të tillë. Ky është rrënim dhe shkatërrim i vendit tonë”, ka theksuar ai.

Zëvendëskryeministri i Kosovës është pyetur edhe për arsyet e mungesës së një konsensusi të gjerë politik për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se kjo është pasojë e humbjes së besimit në procesin e dialogut, për shkak se deri më tash ai ka qenë jotranspparent dhe i individualizuar.

“Kosova ka pasur një tradite të konsensusit për tema nacionale, të viteve të luftës e të pasluftës, deri te Vjena. Por, tash është prishur ai konsensus që për tema nacionale të jemi të gjithë bashkë. Kjo ka ndodhur sidomos pas vitit 2011, pas bisedave të quajtura dialogu i Brukselit”, ka thënë ai.

“Zhvillimi i dialogut të Brukselit në mënyrë jotransparente, pa llogaridhënie dhe individuale dhe, ashtu siç ka shkuar, i papërgatitur, e ka dëmtuar traditën e konsensusit, të ndërtuar në të kaluarën. Prandaj edhe i kemi këto probleme që i kemi”, ka theksuar ai.

Sidoqoftë, ai e vlerëson pozitiv faktin se të gjitha forcat politike tashmë e kanë kuptuar se çështjet me interes nacional nuk mund të zgjidhen pa një konsensus të gjerë.

“E rëndësishme është se tani të gjithë e kanë kuptuar se pa një konsensus të gjerë në tema nacionale, Kosova nuk mund të fitojë, Kosova mund të dëmtohet dhe nuk mund të shkohet pa pasur një konsensus sa më të gjerë”, ka theksuar Limaj. (r.m.)

Comment

*