Limaj: Krasniqi nuk do t’i bënte opozitë drejtësisë

Prishtinë, 4 nëntor 2020 – Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas arrestimit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë për media Limaj e ka quajtur mënyrën e arrestimit, të panevojshme.

“Ai (Jakup Krasniqi) asnjëherë s’do t’i bënte opozitë drejtësisë, ai asnjëherë nuk do t’i dilte kundër drejtësisë. Pëkundrazi, e gjithë jeta e tij është luftë për drejtësi, për liri, për bashkjetësë , luftë për mirëqenie.”, tha Limaj.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë njoftuar të mërkurën se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

Gjatë ditës, pjesëtarë të EULEX-it, kanë kryer një bastisje në shtëpinë e Jakup Krasniqi.

Jakup Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në orët e pasdites së të mërkurës herët, avokati i Jakup Krasniqit, Valon Hasani, ka bërë të ditur se pas konfirmimit të aktakuzës nga ana e Dhomave të Specializuara në Hagë, Krasniqi është arrestuar dhe pritet të bëhet transferimi i tij për në Hagë.

(r.m.)

Comment

*