Limajt i ofrohen 7 mijë euro dëmshpërblim, i kishte kërkuar 7 milionë

Prishtinë, 20 mars 2017 – Fatmir Limaj e ka refuzuar ofertën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për dëmshpërblim për rastin e njohur si rasti “Kleçka”.

Oferta e Komisionit për Kompensim të dëmit të KGJK-së në vlerë rreth 7 mijë e 305 euro është cilësuar si ofertë simbolike nga Limaj. Ai ka paralajmëruar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës për kompensim të dëmit.

Limaj e ka refuzuar ofertën e KGJK-së për shkak se shuma që i ofrohej atij nuk e arrinte as 1 për qind të shumës prej 7 milionë eurosh, sa kishte kërkuar ai.

Mbrojtësi i Limajt, avokati Tahir Rrecaj, ka konfirmuar për “Arbresh.info” se  Limaj nuk e ka pranuar ofertën e KGJK-së dhe ka paralajmëruar se do të bëjë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Nuk jemi pajtuar  me ofertën për kompensimin e dëmit. Oferta e KGJK-së ishte simbolike, besoj që javën e ardhshme  do t’a dorëzoj padinë në Gjykatë”, është shprehur Rrecaj për “Arbresh. Info”.

Refuzimin e ofertës së KGJK-së e ka konfirmuar edhe drejtori i  Departamentit Ligjor në KGJK dhe sekretari i Komisionit për Kompensim të dëmit, Astrit Hoti. Ai ka thënë se ky komision, në bazë të kritereve që ka nga këshilli, ia ka ofruar Limajt 7.305 euro si kompensim për mbajtjen e tij në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, shumë kjo që nuk është pranuar nga Limaj.

“Për 35 ditë paraburgim, sa ka qëndruar, ia kemi ofruar 1.545 euro, ndërsa për arrest shtëpiak ku ka qëndruar 384 ditë ia kemi ofruar edhe 5.760 euro.  Ai nuk e ka pranuar këtë ofertë të KGJK-së dhe përfaqësuesi i tij ligjor ka paralajmëruar padi  në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, është shprehur Hoti.

Sipas Hotit, komisioni i KGJK-së punon në bazë të kritereve që i ka caktuar këshilli dhe nuk mund të dalë jashtë udhëzimit.

Muaj më parë, Fatmir Limaj  e pat dorëzuar kërkesën e tij  për  kompensim nga shteti për procesin e padrejtë gjyqësor ndaj tij në rastin “Kleçka”. Shuma që ai ka kërkuar arrin vlerën rreth  7 milionë euro.

Përballja e tij tri herë radhazi me drejtësinë në rastin “Kleçka”, në të cilin rast akuzohej për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe vërtetimi i pafajësisë kanë bërë që Limaj të kërkojë kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, saktësisht 6 milionë e 987 mijë e 314 euro.

Limaj bashkë me nëntë luftëtarët e UÇK-së, akuzohej për Krime lufte gjatë vitit 1999. Në vitin 2012, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e pat shpallur të pafajshëm Limajn dhe nëntë të tjerët, si edhe e kishte hedhur poshtë dëshminë e dëshmitarit Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X”, mbi të cilën ishte bazuar një pjesë e mirë e provave të prokurorisë.

Po këtë vit Gjykata Supreme e Kosovës pat marrë vendim që gjithë rastin “Kleçka” ta kthejë në rigjykim. Por, në shtator të vitit 2013, pas një rigjykimi, Gjykata Themelore e Prishtinës i pati shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit e rastit “Kleçka”.

Gjykata e Apelit e pat kthyer për herë të tretë “Kleçkën” në rigjykim, por kësaj here pat vendosur që rastin t’a gjykojë një kolegj i gjyqtarëve të saj.

Në maj të vitit 2016,  Apeli i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit e këtij rasti, duke i dhënë fund kështu një gjykimi maratonik. /Arbesh.info/

Comment

*