Linda Halimi nga “American Idol”, te përfaqësimi i Shqipërisë në Eurovizion

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Vonesa e probleme teknike në Edicionin e 55-të të Festivalit torturojnë mijëra teleshikuesit e papritur nga e gjithë bota

 

Këngëtarja Linda Halimi, e njohur ndryshe me emrin e skenës Lindita, është shpallur fituesja e edicionit të 55 të Festivalit të Këngës në Radio Televisionin Shqiptar.
Lindita mendohej si një prej fituesve të mundshëm, po asgjë nuk ishte e garantuar deri në fund. Kolegët e saj Dritoni dhe Ylli mendohej se kishin më shumë adhurues në publik, ndërsa Gent Salihu bëri surprizë me përkrahjen e shumë juristëve.
Triumfi në fund i Linditës është duartrokitur edhe nga shqiptarët në SHBA që e ndoqën gjatë konkurrimit të saj shumë të suksesshëm në sezonin e fundit të konkursit të njohur televiziv “American Idol”, ku vetëm për një vend nuk vazhdoi dot në Top24.
E lindur në Kosovë dhe e zhvendosur në SHBA, në 2013, ajo ka marrë pjesë edhe më parë në festivalet e muzikës shqiptare, ku ka fituar në edicionin 6 të Top Fest.
Sonte, me këngën e saj fituese “Botë” do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin europian të këngës që do të mbahet në Kiev të Ukrainës, në muajin maj.

Festivali tradicional shqiptar u ndoq këtë vit si asnjëherë tjetër nga mijëra adhurues të Eurovizionit, në Europë dhe më tej në botë. Kureshtarë të huaj ka pasur gjithmonë, po asnjëherë nuk kanë qenë kaq të numërt.
Për fat të keq, një seri problemesh teknike bënë që programi të fillojë me shumë vonesë dhe pastaj të vijojë pa temp, pa fantazi, pa harmoni e me pengesa të tjera të përsëritura. Kurioziteti në rrjetet sociale u kthye shpejt në humor, mërzi e irritim ndërkombëtar.
Ndonëse, festivali është normalisht një veprimtari e “brendshme” kombëtare e shqiptare, kjo audiencë e paftuar por e pashmangshme e huaj duhet ndoshta të merret parasysh nga organizatorët e tij të ardhshëm. Problemet teknike nuk duhet të jenë kaq të theksuara në këtë nivel edhe sikur të mos ishin telespektatorët e huaj. Televizionet shqiptare tanë kanë vite që organizojnë e vënë në skenë spektakle komplekse. Mirëpo, prania e huaj është padyshim një shtysë më shumë për të realizuar diçka më për të qenë.
Drejtuesit ishin të lodhur, të ngathët e aspak bindës. Shumë nga juristët dukej sikur nuk kishin dëshirë që të ishin aty. Lidhjet telefonike me një pjesë prej tyre nuk funksionuan.
Një pjesë e madhe e formatit ishte kopjuar nga festivale të ngjashme, po nuk kishte fantazi e ndjenjë zbavitjeje në komunikimet. Aq më keq kur drejtuesi kryesor kishte vështirësi serioze në leximin e kartave dhe orientimit në kohë dhe hapësirë në skenë. E pakuptueshme, për të mos thënë skandal, ishte dalja në ekran e komenteve ofenduese në anglisht. Si në rastin kur po këndonte Ledina Çelo (“Kjo kujton se është ende viti 2005”) apo kur Inva Mula ishte ende në skenë pas këngës së saj të dytë, (“Get off” = Dmth “largohu”).
Drejtuesit dhe pjesëmarrës të spektakleve të njohura në botë nuk janë të gjithë të shquar për humor e shkëmbime të këndshme të çastit, prandaj shpesh organizatorët punësojnë skenaristë të skenës që të krijojnë edhe tekste shkëmbimesh që mund të ushtrohen paraprakisht. Nuk ka ndonjë turp në këtë.
Udhëtimi në të kaluarën me këngë historike shqiptare ishte një nga gjërat më të bukura, mirëpo ashtu si me humorin dhe me intervistimin e anëtarëve të jurisë, e kishte humbur ritmin për shkak të fillimit me vonesë. Disa nga juristët dukeshin më shumë si nxënës që i kishin ngritur në mësim pa dëshirë, në përgjigjet e tyre. Ata janë specialiste muzike. Batutat e shkëmbimet mund të sugjerohen nga skenari.
Nuk jam ndonjë simpatizues i madh i Eurovizionit, këngët e të cilit, me ndonjë përjashtim mbulohen shpejt nga pluhuri i harresës. Mirëpo, pjesëmarrja në Eurovizion është një ngjarje politike po aq sa kulturore e sociale. Nëse fiton ndonjëherë Shqipëria mund të bëhet kryeqytet i këngës europiane për një vit. Ajo mund të ndihmojë në imazhin e vendit si destinacion turistik, si pjesë e Europës, etj. Është një ambicje që nëse shteti shqiptar e ushqen atëhere duhet të investojë më shumë te RTSH dhe te ky program.
Festivali i Këngës tani është një traditë e madhe shqiptare. Jo të gjithë janë të kënaqur me transformimin e tij ashtu si nuk janë të kënaqur me kohët që jetojmë. Debatet më të mëdha u shkaktuan në gjysëmfinale nga një veshje apo zhveshje e drejtueses kryesore. Shqipëria nuk është i vetmi vend që ka vështirësi në pajtimin e një festivali tradicional me një spektakël kontravers si Eurovizioni. Nuk do të ishte fundi i botës nëse Festivali do të ndahej nga procesi i përzgjedhjes së këngës përfaqësuese të Shqipërisë në këtë konkurrim. Ose që përfaqësuesja të mos ishte detyrimisht fituesja e festivalit. Disa ndoshta druhen se pa interesin e Eurovizionit Festivali do të venitej nga financat dhe interesi. Këtu ndoshta kanë shumë më tepër për të folur ata që i ndjekin këto zhvillime më nga afër.
Ajo që e nxiti këtë koment ishte thjesht fakti që duam apo nuk duam, në formën që zhvillohet, festivali nuk është më thjesht një “punë shqiptare”. #FIK55 ishte tema e katër më e ndjekur në rrjetin social Tuitër në Britaninë e Madhe, e në mënyrë të ngjashme ishte mes udhëheqësve edhe në Suedi, Ukrainë e një numër vendesh të tjera. Shqipëria është i pari vend që zgjedh përfaqësuesin për në Eurovizion dhe kurreshtia do të vijojë edhe në vitet e ardhshme. Më së paku kjo duhet të shërbejë për të filluar një debat serioz për organizimin dhe pjesëmarrjen tonë. Nëse nuk ka interes për muzikën, duhet të ketë për diplomacinë publike, për imazhin politik dhe potencialin turistik që vjen me këtë kuriozitet e audiencë ndërkombëtare.

rtsh1 rtsh4 rtsh5 rtsh2 rtsh3

Comment

*