Lista e kandidatëve për Tiranën e mban peng koalicionin PD-PR?

Tiranë, 20 shkurt 2021 – Kur na ndajnë edhe 5 ditë nga data kur duhet të regjistrohen në KQZ koalicionet, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po i jep dorën e fundit marrëveshjes me aleatët. Por, negociatat kanë mbetur tek aleati tradicional i PD-së, Fatmir Mediu i Partisë Republikane.

Burime të gazetës “Panorama” bënë me dije se edhe dje nuk ka pasur konsensus mes PD-së deh PR-së për koalicionin. Mësohet se në takimin që zgjati pak më shumë se një orë, palët kanë qenë që të dy dakord që të jenë me listë të përbashkët dhe të reflektohen idetë e PR-së në programin e PDsë, por kjo dakordësi nuk ka vijuar edhe kur është folur për hapësirën e kandidatëve të PR-së në qarkun e Tiranhës.

Prej disa javësh Mediu i ka vënë përpara grupit negociator të caktuar nga kryedemokrati Basha për koalicionet rezultatet e viteve të kaluara dhe referuar atyre, PR kërkon që kandidojë z. Mediu në kryeqytet dhe në Njësinë 9 nënkryetarin e PR-së, z. Sulaj. Pikërisht pozicioni i këtij të fundit në listë mban pezull marrëveshjen e koalicionit mes PD-PR. Mësohet se ditën e djeshme kreu i PR-së i ka prezantuar Bashës edhe një sondazh të realizuar së fundmi, por që nuk e ka bindur kreun e PD-së.

Ndërkohë, ditën e djeshme gjatë mesditës Lulzim Basha priti në zyrë kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizin. Përmes burimeve më- sohet se në zyrën e Bashës janë paraqitur emrat potencialë të ofruar nga Shpëtim Idrizi për përfaqësim në listën e përbashkët të koalicionit.

Po kështu, gazeta “Panorama” ka mësuar se Shpëtim Idrizi do të jetë në listën e Tiranës, ndërsa kandidatja tjetër në listën e gjelbër, por jo në Tiranë, do të jetë Mesila Doda. Pak ditë më parë Idrizi deklaroi se pretendimet e forcës së tij politike janë vetëm në 5 qarqe, ndërkohë që në të gjithë vendin PDIU-ja do të jetë në mbështetje të Partisë Demokratike.

Por negociatat e Bashës me Idrizin do të vazhdojnë edhe në fundjavë. Të hënën Lulzim Basha ka parashikuar që të ulet në tryezë edhe me Vangjel Dulen për të përcaktuar qarkun ku do të kandidojë kreu i PBDNJ-së, ku mundësitë kryesore janë Korça dhe Vlora. Të mërkurën e 24 shkurtit, Lulzim Basha do të duhet të dorëzojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e koalicionit opozitar dhe emrin me të cilin koalicioni do të përfaqësohet.

Të gjitha partitë që do të jenë në koalicion me PD-në janë regjistruar tashmë në KQZ, por emrat e kandidatëve të tyre do të jenë të përfshirë në listën e Partisë Demokratike dhe do të bëhen publikë në 5 mars.

(Panorama.com.al)

Comment

*