Lista Serbe do të pajtohej me ndarjen e Kosovës

Beograd, 25 korrik 2018 – Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë zhvilluar sot (e mërkure) në Beograd një takim mbi katër orësh me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku është biseduar kryesisht lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas zëvendëskryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, presidenti serb ka thënë se ende nuk ka në horizont ndonjë zgjidhje të prekshme për çështjen e Kosovës.

“Presidenti i Serbisë na tha se ende nuk ka asnjë zgjidhje që do të ishte e prekshme”, ka thënë Simiq.

Ndërkaq, Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se Vuçiq nuk ka shpjeguar se cili do të ishte “kompromisi” të cilin ai e ka përmendur shpesh, por ka premtuar se asnjë zgjidhje nuk do të paraqitet pa pëlqimin e serbëve të Kosovës.

“Nuk e dijmë cila është zgjidhja e kompromisit, por Presidentit Vuçiq i thamë se ai e ka mbështetjen tonë të plotë dhe se gëzohemi që na premtoi se pa mbështetjen tonë nuk do të paraqesë asnjë opsion për zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme për Kosovën”, ka thënë Rakiq për televizionin publik të Serbisë.

Rakiq ka treguar se gjatë takimit është folur edhe për opsionin e ndarjes së Kosovës, i cili kundërshtohet nga serbët në pjesën jugore të Kosovës dhe disa udhëheqës të Kishës Ortodokse Serbe. Ai ka lënë të kuptohet se Lista Serbe do të pajtohej me cilëndo zgjidhje që Vuçiq e konsideron të mirë për serbët dhe për Serbinë.

“Vuçiqi e ka marrë një letër të hapur në të cilën thuhet se ndarja e Kosovës është zgjidhje e keqe, se ndarja me kufij është zgjidhje e keqe. Ata që e kanë shkruar këtë letër kanë letërnjoftime të Kosovës. Do t’u lutesha të gjithëve që të na lënë të jetojmë me familjet tona atje poshtë, në Kosovë, dhe që ne të vendosim për jetët tona, bashkë me shtetin tonë dhe me Presidentin Vuçiq”, është shprehur kryetari i Listës Serbe.

Edhe nënkryetari, Igor Simiq, i ka porositur kundërshtarët e ndarjes së Kosovës që të mos kundërshtojnë zgjidhjen që e propozon Vuçiq.

“Ata që e konsiderojnë veten patriotë dhe e atakojnë çdo propozim të mundshëm që përmendet. Le të ndërpresin ‘heroizmat’ për çështjen e Kosovës, sepse bëhet fjalë për të ardhmen e serbëve që jetojnë në ato zona, por edhe për gjithë popullit serb”, është shprehur ai.

Simiq ka thënë se përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës konsultohen me Beogradin në çdo kohë dhe për çdo gjë. (r.m.)

Comment

*