Lista Serbe kalon në opozitë

Prishtinë, 30 mars 2018 – Lista Serbe ka kumtuar se aktivitetin e saj do të vazhdojë si opozitë në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi për largim nga Qeveria është marrë të martën, pas takimit të drejtuesve të këtij subjekti politik me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd. Ky vendim është marrë në shenjë proteste ndaj arrestimit dhe dëbimit të Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili kishte hyrë pa leje në territorin e Kosovës.

Deputeti, Sasha Millosavleviq, tha se 10 deputetët e kësaj partie prej sot do të jenë në opozitë, kurse tre ministrat e saj janë në procedurën e dorëheqjes nga Qeveria.

Pas konfirmimit të largimit të Listës Serbe, Qeveria e Kosovës, e cila ishte zgjedhur me 61 vota në Kuvend, edhe zyrtarisht mbetet me vetëm 51 vota në kuvend, gjë që nënkupton se ajo e ka humbur shumicën.

Sidoqoftë, Qeveria do ta vazhdojë punën sipas mandatit të saj kushtetues, derisa nuk do të ketë ndonjë mocion mosbesimi ndaj saj.

Dy grupet më të mëdha opozitare në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvisja Vetëvendosje, kanë thënë se tash për tash nuk do të kërkojnë rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Shefat e të dy grupeve parlamentare, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca, kanë thënë se nuk do ta shfrytëzojnë daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, por kjo nuk do të thotë se ato do të tolerojnë vendimet e dëmshme të kësaj qeverie.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partitë politike duhet të arrijnë një konsennsus për afatin e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme. (r.m.)

Comment

*