Lista Serbe ngriu marrëdhëniet me Thaçin me porosi të Beogradit

Prishtinë, 15 nëntor 2017 – Kabineti i Presidentit të Kosovës e quan apsurd e destruktiv vendimin e Listës Serbe për të ngrirë marrëdhëniet me presidentit Hashim Thaçi.

Lista Serbe, në një letër publike drejtuar Presidentit Thaçi, e akuzon Thaçin se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë, se nuk ka bërë asgjë për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe se ka ndërhyrë në çështjet politike të serbëve në Kosovë.

Bekim Çollaku, shef i kabinetit të presidentit Thaçika thënë se ky veprim i Listës Serbe është porositur nga Beogradi.

“Unë mendoj që një vendim i tillë dhe kjo letër e dërguar nga Lista Serbe dhe përfaqësuesit e saj, nuk e dëshmon se autorë të saj ose autor i kësaj letre është Lista Serbe. Mirëpo, mendoj që autor i vetëm i kësaj letre është Qeveria e Serbisë, e cila e ka iniciuar dhe e ka imponuar një vendim dhe një letër të tillë për çështje politike, taktike dhe strategjike. Kjo, sigurisht që nuk është hera e parë që përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës përdoren, manipulohen, ekskluzivisht për nevoja të Serbisë”, ka thënë Çollaku për Radion Evropa e Lirë.

Çollaku ka thënë se letra e Listës Serbe është befasuese dhe e papritur, sepse përfaqësuesit e kësaj partie nuk kanë pasur paraprakisht asnjë takim me presidentin.

Deputeti i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës Igor Simiq, ka thënë se ky është vendim i partisë, por ka shtuar se edhe Beogradi është i pakënaqur me qëndrimin e institucioneve të Kosovës lidhur me pozitën e serbëve në Kosovë, sidomos ndaj marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Më e rëndësishmja është që edhe Beogradi zyrtar është tërësisht i pakënaqur me sjelljen me përfaqësuesit e Prishtinës, kur bëhet fjalë për plotësimin e Marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Simiq.

Ai ka thënë se Prishtina nuk ka bërë asnjë hap për formimin e Asociacionit, ndonëse Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar në prill të vitit 2013.

Por, Çollaku shqetësimet e Listës Serbe lidhur me pozitën e serbëve të Kosovës janë të paqëndrueshme sepse, siç ka thënë ai, Kosova “i garanton të drejtat e barabarta për të gjitha bashkësitë, më mirë se cilido vend tjetër në botë”.

Ai ka shtuar se shqetësimi i Listës Serbe lidhur me Asociacionin është me vend, por ka theksuar se formimi i Asociacionit “është proces që nuk mund të përfundojë shpejt”.

Çollaku thekson gjithashtu se ka edhe mjaft marrëveshje të tjera për të cilat kanë marrë obligime të dyja palët, por ato nuk janë zbatuar ende plotësisht.

“Mirëpo, zvarritjet që ndodhin në zbatim nuk mund t’i shërbejnë asnjë subjekti politik, në këtë rast Listës Serbe, që të marrë vendime të tilla absurde për gjoja ndërprerjen e komunikimit apo bashkëpunimit me institucionin më të rëndësishëm në Republikën e Kosovës, me atë të Presidentit të Republikës së Kosovës”, ka theksuar Çollaku.

Edhe Petar Miletiq, njohës i zhvillimeve politike në vend, vlerëson se vendimi i Listës Serbe për ngrirjen e marrëdhënieve me Presidentin e Kosovës është i pakuptueshëm. Sipas tij, shtyrja e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe nuk është arsyeja e vërtetë.

“Të protestosh për shkak se nuk është formuar Bashkësia e Komunave Serbe, në atë mënyrë që të ndërprisni komunikimin me Presidentin e Kosovës, mendoj që nuk është e përshtatshme dhe se pas gjithë kësaj fshihet një arsye tjetër. Nëse do të dëshironin që në një mënyrë ta shtyjnë Prishtinën që ta formojë Bashkësinë e Komunave Serbe, ka pasur mënyra tjera”, është shprehur Miletiq. (r.m.)

Comment

*