Lista Serbe zotohet se do të implementojë në Kosovë projektet e Vuçiqit

Beograd, 15 maj 2019 – Petar Petkoviq, ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe kandidati i Listës Serbe për Komunën e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kanë thënë se zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri të Kosovës janë “referendum për dhe kundër mbijetesës së popullit serb” në Kosovë.

Petkoviq ka thënë se Lista Serbe e ka mbështetjen e popullit serb, sepse kjo parti angazhohet për implementimin e projektit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Me ardhjen e presidentit Vuçiq, situata ka ndryshuar dhe Lista Serbe ka më shumë se 90 për qind të mbështetjes së popullit serb në Kosovë dhe prandaj është e rëndësishme që të ketë njerëz nga Lista Serbe sepse ata do të luftojnë prë interesat e popullit të tyre”, ka thënë Petkoviq, citon b92.

Ai ka thënë se Lista Serbe është projekt me rëndësi kombëtare për mbijetesën e popullit serb në Kosovë dhe se kjo listë është bërë “digë për gjithçka që vjen nga Kosova dhe synon të dëbojë serbët nga atje”.

“Fitorja e Listës serbe do të thotë përgjigje ndaj përshkallëzimit të të gjitha presioneve, agresionit dhe histerisë që vjen nga Kosova. Interesat e popullit serb në Kosovë janë të garantuara për të ruajtur lidhjen e popullit serb në Kosovë dhe Serbi”, ka thënë Petkoviq.

Rakiq ka thënë se fitorja e Listës Serbe është e padiskutueshme dhe se ajo do të vazhdojë të implementojë të gjitha projektet e iniciuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nga Qeveria e Serbisë dhe nga drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq,

“Kjo fitore është e nevojshme për ta vërtetuar se vendosmëria e popullit serb për të mbrojtur dinjitetin e tyre është i pakalueshëm. Qytetarët e veriut të Kosovës ishin gjithmonë të gatshëm të vetë-sakrifikohen për të mbrojtur të drejtën e tyre për të ekzistuar”, ka thënë Rakiq.

“Nuk ka asnjë mënyrë për të vrarë vullnetin e popullit serb për të luftuar për ekzistencën e tyre dhe për të drejtat e tyre”, ka theksuar ai.

Sipas Rakiqit, serbët janë “gjemb në sy” për udhëheqjen e Kosovës, prandaj ajo do të bëjë gjithçka “për t’i dobësuar serbët që punojnë me të vërtetë për të mirën e serbëve. (r.m.)

Comment

*