Lluka beson se “Contour Global” do të sigurojë financat për TC “Kosova e Re”

Prishtinë, 10 tetor 2018 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, ka thënë se investitori “Contour Global” është në rrugë të mbarë të sigurojë financat pë ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” nga burime të ndryshme.

“Contour Global është në rrugë të drejtë të sigurimit të financimit të këtij projekti nga burime të ndryshme siç janë agjencitë eksportuese shtetërore dhe institucionet financiare ndërkombëtare”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Lluka ka theksuar se “ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është projekti më strategjik për  zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Ju siguroj që, së bashku me investitorin ‘Contour Global’, do të punojmë që ky projekt të përfundojë në afatin e paraparë”, ka shkruar ai.

Ministri Lluka ka theksuar se Kosova duhet të sigurojë pavarësi energjetike dhe nuk ka alternativë tjetër.

Ky reagim vjen pas njoftimit të presidentit të Grupit të Bankës Botërore, Jim Young Kim, se ky institucion financiar ndërkombëtar nuk do ta mbështesë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.

Kim ka shprehur qëndrimin e Bankës Botërore rreth financimit të termocentralit me vlerë prej 1.3 miliard eurosh në takimet vjetore të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, në Bali të Indonezisë, kur është pyetur lidhur me financimin e këtij projekti nga Visar Azemit, drejtorit ekzekutiv të “Balkan Green Foundation”. (r.m.)

Comment

*