Loriana Kuka e konfirmon dominimin e xhudistëve të Kosovës

Prishtinë, 12 nëntor 2018 – Loriana Kuka e konfirmoi dominimin e xhudistëve të Kosovës në turneun Grand Prix që u mbajt në Tashkent të Uzbekistanit.

Të dierlën, 21-vjeçarja e fitoi medaljen e artë në kategorinë deri 78 kilogramë, duke e bërë Kosovën vendin më të suksesshëm të turneut, ku morën pjesë 347 xhudistë nga 47 shtete të botës.

Kosova mori pjesë me katër xhudiste në Grand Prix në Tashkent, ndërsa të gjitha u paraqitën në finale, shkruan sot “Koha Ditore”.

Tri prej tyre u shpallën kampione, ndërsa Nora Gjakova fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri 57 kilogramë. Në ditën e parë të garave, të premten, medalje të arta fituan Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë dhe Majlinda Kelmendi në kategorinë deri 52 kilogramë.

Loriana ende nuk është në nivelin e Majlindës, Norës e Distrisë, por po iu afrohet atyre. Suksesi i së dielës e dëshmon këtë. Ajo nuk ishte bartëse në kategorinë deri 78 kilogramë, por e dominoi atë. Nisi me fitore ndaj kazakes Zarina Raifova, shkruan Koha.net. (r.m.)

Comment

*