lSI kërkon rivotim për Teatrin, Vangjel Tavo nuk votoi, ishte jashtë vendit

Tiranë , 6 korrik 2018 – Pak orë pasi Kuvendi i Shqipërisë e miratoi Ligjin për Tyeatrin Kombëtar, LSI ka hedhur akzua të forta ndaj mazhorancës.

Kjo parti ka bërë të ditur se në mesin e votave pro miratimit të ligjit është numëruar edhe ajo e deputetit Vangjel Tavo, ndonëse ai nuk ka marrë fare pjesë në seancë.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka kërkuar anulimin e menjëherë të votimit, të cilin e quajti të manipuluar nga mazhoranca.

Vasili e ka publikuar listën e votuesve, ku rezulton që pro këtij ligji të  ketë votuar edhe deputeti Vangjel Tavo, i cili gjendet jashtë vendit.

I kontaktuar nga Ora Neës, deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, ka konfirmuar se nuk ka qenë i pranishëm në sallë për arsye shëndetësore dhe se, madje, as nuk ndodhet fare në Tiranë.

Tavo ka sqaruar se kartat e deputetëve rrinë mbi tavolina, kështu që ai nuk e di se kush mund të ketë votuar në emër të tij.

“Nuk kam qenë në seancë dje për arsye shëndetësore. Nuk jam fare në Tiranë. Nuk e kam idenë çfarë ndodhi. Kartat e deputetëve qëndrojnë gjithmonë në tavolinat e tyre në Kuvend”, ka thënë Tavo.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka thënë se ky është “një manipulim banditesk” dhe “vjedhje votash” edhe brenda sallës së Kuvendit. Ai ka kërkuar që Prokuroria të fillojë hetimet lidhur me këtë rast.

“Ky votim është nul dhe Kryetari i Kuvendit, Ruçi, duhet ta deklarojë që sot anulimin e votimit dhe përsëritjen urgjente të votimit. Përndryshe,  ai, si institucion, ka rënë juridikisht, politikisht e moralisht. Prokurorja e Përgjithshme të fillojë hetimin për këtë vepër penale shumë të rëndë të manipulimit të votimit parlamentar. Tanimë hajdutët e votave janë ulur këmbëkryq në Parlament dhe në krye të qeverisë”, është shprehur Vasili.

Ora Neës ka kërkuar një reagim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe pret një përgjigje për këtë pretendim.

Në seancën e së enjtes, Kuvendi i Shqipërisë, e miratoi Ligjin për Teatrin me 75 vota “pro”.

Në votim nuk mori pjesë ministri i Diasporës, Pandeli Majko, i cili u largua nga seanca pak minuta para votimit. (r.m.)

Comment

*