Luftë identitetesh

Astrit Lulushi

Përse grimcat nuk mbeten vetëm grimca? Nëse ato nuk përzihen, nuk ndërthuren, as nuk bashkohen, atëherë as nuk do të ndëlikoheshin e mbylleshin në një trup të plotë. Nëse mendon se e plota është e thjeshtë, mendo përsëri dhe do të shohësh sa probleme krijon ajo. Bota kërkon të bëhet e integruar, edhe Europa, që do të thotë një e vetme, por në proces lindin shqetësime e konflikte, synimi humbet dhe mjeti bëhet sundues në emër të qëllimit.

Por edhe grimcat nuk janë njësoj, disa janë të mëdha e disa të vogla, dhe kjo shkakton konfuzjon e përplasje mes tyre, sepse janë copat e mëdha që përpiqen të gllabërojnë copat e vogla të cilat duan të ruajnë origjinalitetin e vet.

Shqiptar, grek, vllah, sllavë, ortodoks, katolik, mysliman, gjithë këto identitete të lashta e më pak të lashta në Ballkan. Sa më shumë studiohen aq më shumë copëtohesh, tërhiqesh të bëhesh pjesë e secilit. Kur njeriu ngjitet një shkallë më lart nga ku gjërat i sheh si vëzhgues, kupton se çdo identitet është krijuar, sajuar, shtrembëruar thjesht per t’u shtuar e fuqizuar për vete nëpërmjet marrjes nga identiteti tjetër. Të gjithë rrjedhin nga një grimcë. Këtë e mbështet edhe shkenca që thotë se nga shpërthim i grimcës së vetme të vogël, lindi Gjithësia e përbërë nga miliarda yje. Por njeriu që bën shkencën vazhdon me kokëfortësi të shkojë në drejtim të kundërt me veten.

Comment

*