Luftimi i ekonomisë joformale, sfidë për Qeverinë e re të Kosovës

Prishtinë, 13 shkurt 2020 – Institucionet publike nevojitet të fuqizojnë partneritetin me komunitetin e bizneseve për luftimin e ekonomisë joformale dhe të evazionit fiskal, si kusht për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznes në Kosovë.

Kjo u konkludua në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe nga kompania Ernst & Young, ku morën pjesë përfaqësues të bizneseve. Në tryezë morën pjesë edhe ministri i Financave dhe tranfereve, Besniuk Bislimi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi rëndësinë e luftimit të ekonomisë joformale. Ai tha se Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se luftimi i kësaj ekonomie duhet të jetë njëri prej prioriteteve kryesore të qeverisë të re.

Dairida Metalia, menaxhere e taksave në Ernst & Young, tha se prezenca e ekonomisë joformale në fusha të ndryshme të aktivitetit ekonomik është një ndër sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova. Ajo tha se sipas statistikave të deritasdhme, ekonomia informale arrin mbi 30 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, tha se partnerë kyç të institucioneve publike në luftimin e ekonomisë joformale janë komuniteti i bizneseve dhe konsumatorët. Ai theksoi se hapi i parë drejt suksesit në luftimin e këtij fenomeni është konfirmimi e përpjekjet e deritashme nuk kanë dhënë rezultatet e dëshiruara.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, e lavdëroi bashkëpunimin mes këtij institucioni dhe komunitetit të bizneseve. Sipas tij, gjatë 20 viteve të funksionimit të ATK-së ka pasur avancim të vazhdueshëm të këtij bashkëpunimi.

Ai theksoi se, sidoqoftë,Administrata Tatimore e Kosovës ka përgjegjësinë ligjore për zvogëlimin në minimum të nivelit të evazionit fiskal dhe shtoi se ky institucion synon të gjejë çelësin e këtij problemi, edhe duke bashkëpunuar ngushtë me bizneset.

Në këtë tryezë u shtrua edhe nevoja për promovimin e transaksioneve bankare elektronike, në vend të transaksioneve e pagesave me para të gatshme. (r.m.)

Comment

*