Lule e puthje për ushtarin britanik në Kosovë

Ramadan Muçolli

Agjensitë e lajmeve, qendrat televizive dhe mediumet tjera në mbarë botën e kthyen sot në kujtesë njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të fundshekullit të kaluar për Aleancën Veriatlantike, hyrjen e forcave paqeruajtëse të saj në Kosovë.

Këto ditë u ripublikuan fotografi e pamje të shumta të 12 qershor të vitit 1999.

Në foto e filmat e atëhershëm nuk dominojnë vetëm helikopterët, autoblindat dhe kolonat e ushtarëve britanikë, të cilët shkelën të parët në tokën e djegur nga lufta.

Në to ka tablo jashtëzakonisht shprehëse. Ka thirrje e brohoritje “NATO, NATO…”, “NATO, thank you…”, “NATO Welcome!…”, etj. Ka edhe lule, shumë lule, por edhe puthje e përqafime…

Ndër fotot e shumta të shkrepura më 12 qershor 1999 që qarkullojnë këto ditë në mediet e Kosovës, njëra është më e veçantë. Një grua shqiptare, diku në Kosovë, e puth në faqe dhe ia dhuron një tufë lule një ushtari britanik, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi.

Kjo foto e shpreh shumë qartë ndjesinë e të qenit i mirëpritur të një ushtari që sjell lirinë në një vend të djegur e të shkatërruar nga lufta, i cili e rikthen shpresën e besimin e thyer të qytetarëve të pafajshëm.

Me lule, puthje e përqafime janë pritur në Kosovë edhe ushtarët tjerë të forcës paqebërëse e paqeruajtëse: amerikanët, gjermanët, francezët, italianët, austriakët, zviceranët, kanadezët, spanjolët, danezët, polakët, çekët, hungarezët, grekët… – të gjithë ushtarët e vendeve anëtare të NATO-s që erdhën në Kosovë, në ditët e para të lirisë së saj.

Hyrjes së forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë i parapriu fushata ajrore 78 ditore kundër kapaciteve luftarake të ushtrisë e policisë së Serbisë, të cilat ishin vënë në shërbim të politikës gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

NATO mori vendim për sulme nga ajri ndaj strukturave shtetërore të sigurisë të Serbisë që po ndërmerrnin operacione të gjera kundër shqiptarëve në Kosovë dhe po kryenin krime makabre ndaj popullsisë civile.

Autoritetet më me ndikim në politikën botërore, në SHBA dhe në Evropë, atë vit u vunë kundër pastrimit etnik të Kosovës dhe katastrofës humanitare që po kërcënonte fëmijët, pleqtë e të pafuqishmit, të cilët ishin dëbuar më dhunë nga shtëpitë e tyre.

Mbrojtja e Kosovës ishte një prej sprovave të para të Aleancës Veriatlantike, e cila pikërisht atë vit po shënontë 50 vjetorin e themelimit.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kishte kërkuar vazhdimisht veprimin e NATO-s në mbrojtje të popullsisë civile në Kosovë, e kishte shpallur 12 qershorin si ditë të çlirimit të Kosovë – Dita e Lirisë.

Prishtinë, 12 qershor 2019

Comment

*