Lulemëngjesi në poezinë shqipe: poetja amerikane Carrie Hooper

Nga Adnan Mehmeti

Në shtetin e Nju Jorkut jeton dhe krijon profesoresha amerikane, Carrie Hooper, njohëse e disa gjuhëve të huaja, poete e mbushur me frymëzim. Një grua idealiste dhe besimtare e devotshme, e cila, e magjepsur nga gjuha e bukur shqipe, nga historia e lashtë dhe e lavdishme e popullit shqiptar, lexon çdo gjë që lidhet me gjuhën shqipe dhe me shqiptarët, dhe, në këtë rast me bashkësinë shqiptare që jeton në Amerikë dhe më gjerë. Është një histori tejet interesante. E bukur dhe magjepse. Një histori e mbushur me episode nga më të ndryshmet, që ka të bëjë me dashurinë për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, kryesisht me botën shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Profesoresha Carrie Hooper ka vite që është bërë një personazh i njohur për lexuesit, e cila gjithmonë vinte përmes ndonjë interviste apo shkrimi. Librin e saj që po e sjellim për lexuesit, mund ta quajmë me plotë të drejtë një lulemëngjesi në poezinë shqipe. Lexoni shqip këtë vepër të shkruar nga dorae poetes Carrie Hooper, ndërsa për lexuesit e shumtë shqiptaro-amerikanë që kanë vështirësi të lexojnë në gjuhën shqipe, kanë mundësinë për të lexuar edhe në anglisht! Jeta është e bukur, shprehet në një varg poetja, e unë do të shtoja: Jeta është e bukur për të lexuar librin e saj edhe në gjuhën tone amtare, si dhe në gjuhën angleze njëkohësisht. Është një vlerë sublime për letrat shqipe, që vjen nga bota amerikane.

Carrie Hooper shkruan me respekt dhe admirim për gjuhën shqipe dhe shqiptarët, siç shkruante dikur Edith Durham.Prandaj, të lexosh librin,” Piktura në fjalë”, sidomos dy ciklet e para, “Reflektimet e një shqiptareje në zemër” dhe “Mishërimi i shpirtit shqiptar”, doemos se impresionohesh nga dashuria dhe malli për vendin e shqiptarëve. Ajo flet me dashuri dhe përmallim, si dhe angazhohet të japë një mësim për vetë shqiptarët, një mësim që pa dashje harrohet këtu në Amerikë.

Carrie Hooper është një këngëtare e talentuar, dhunti e cila e ka avancuar të shkruajë poezi. Në këtë rast, gërshetimi i poezisë me muzikën është një tjetër dhunti e saj. Poezia e saj është magjepsëse, e cila duket si një pikturë e bukur, e shkruar me fjalë.

 

Jetëshkrimi i Carrie Hooper

 

Carrie Hooper u lind në Elmira të Nju Jorkut në vitin 1975.  Elmira ndodhet në pjesën jugore të shtetit të Nju Jorkut afër kufirit me shtetin e Pensilvanisë.  U lind dy muaj e gjysmë para kohës dhe si pasojë mushkritë e saj nuk u zhvilluan plotësisht.  Prandaj në moshën tetëditore iu nënshtrua një operacioni për të hequr një pjesë e një mushkrie.  Pastaj qëndroi në inkubator për tre muaj dhe meqenëse mori tepër oksigjen retinat e saj u dëmtuan dhe u verbërua.  Mirëpo verbëria nuk e pengon sepse ka mundësi të përjetojë botën me shqisat e tjera. Të gjithë që shikojnë do të mund ta përjetojnë botën me të gjitha shqisat por ata varen shumë nga sytë. Thënë shkurtimisht, ka një jetë të plotë dhe të pasur.

Kreu shkollën fillore dhe të mesme me fëmijë që shikonin dhe mori librat e saj në brail ose në audio.  Kishte edhe njerëz që lexonin për të dhe mësoi të shkonte me bastun.  Filloi mësime për piano në moshën katërvjeçare dhe mësime për kanto në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare.  Në shkollë i binte ksilofonit, marimbës, glockenspielit, dhe baterive në orkestër dhe këndonte në kor.  Filloi të kompozonte muzikë në moshën tetëvjeçare.

Pas diplomimit nga shkolla e mesme në vitin 1993, kreu studime për kanto te Mansfield University në qytetin e Mansfield të Pensilvanisë në vitin 1997.  Gjatë kohës në Mansfield filloi të mësonte gjermanisht sepse për studimet e saj u kërkua që të ndiqte një gjuhë të huaj dhe zgjodhi gjermanisht sepse mendoi se do ta ndihmonte të kuptonte më mirë atë çfarë këndonte në atë gjuhë.

Që nga dita e parë e kursit e dinte se donte të bëhej pedagoge e gjermanishtes.  Në shkollën e mesme kishte mësuar frëngjisht por në atë kohë ajo gjuhë nuk e kishte tërhequr shumë dhe nuk punonte fortë për ta mësuar.  Mirëpo ushtronte gjermanisht si dhe gjuhë të tjera që i mësoi më vonë duke i dëgjuar, duke lexuar, dhe duke folur në telefon me folësit e gjuhës në fjalë.  Gjatë studimeve të saj në Mansfield, filloi gjithashtu të mësonte italisht sepse kori me të cilin këndonte duhej të shkonte në Itali si pjesë e një turneje europiane.  Më tej filloi të mësonte rusisht dhe latinisht por këto dy gjuhë nuk i ka zotëruar mirë.

Pasi kreu studimet te Mansfield University, mori një master për gjermanisht (1999) dhe një master për kanto (2001) te University at Buffalo në Buffalo të Nju Jorkut.  Gjatë asaj kohe filloi të mësonte spanjisht dhe mësoi pak finlandisht.  Për më tepër filloi të mësonte suedisht sepse dirigjenti i orkestrës së universitetit vinte nga Suedia dhe donte të fliste suedisht me të.  Në atë kohë kishte një program në transmetimin anglisht të stacionit radiofonik në valët e shkurtëra, Radio Sweden, që quhej In Touch with Stockholm që u mundësonte dëgjuesve që të lidheshin me suedezë për t’u drejtuar pyjetje të ndryshme që trajtonin kulturën dhe jetën suedeze.  Carrie i shkruajti programit një email sepse donte të mësonte më shumë për situatën e të verbërve në Suedi.  Drejtuesit e programit e lidhën me Ulrika Norelius, një studente të verbër te Kolegji i muzikës i universitetit mbretëror në Stockholm të Suedisë dhe biseduan në telefon në anglisht.  Biseda e tyre u transmetua në radio dhe Ulrika dhe Carrie vazhdonin të mbanin kontakt.  Ulrika e tregoi se të huajt mund të studionnin te Konservatori i muzikës në Stockholm për një vit akademik.  Carrie aplikoi për këtë program dhe aplikoi për një bursë Fulbright për ta financuar studimin.  Kolegji i muzikës në Stockholm e pranoi dhe mori bursën Fulbright.  Nga shtator 2001 deri më qershor 2002 Carrie studioi kanto te Shkolla për muzikën të universitetit mbretëror në Stockholm.

Pasi që studioi në Suedi, filloi punën si pedagoge e gjermanishtes te Elmira College në qytetin e saj të lindjes në vitin 2002 dhe vazhdon të punojë atje edhe sot.  Dha italisht te Elmira College nga viti 2007 deri më 2016.  Gjithashtu jep mësime për piano dhe për kanto te një studio në rrethin e saj.  Më tej jep koncerte vokale në vende të ndryshme, i bie pianos në një kishë episkopale, dhe këndon në një kor me emrin Common Time.

Në kohën e lirë i pëlqen të lexojë, të bisedojë me njerëz, të shkruajë poezi, dhe të mësojë gjuhë të huaja.Përveç gjermanishtes, italishtes, dhe spanjishtes, di edhe suedisht, shqip, dhe rumanisht.

 

 

 

 

 

Comment

*