Lumezi: Dosja e vrasjes së Xhemail Mustafës është te EULEX-i

Prishtinë, 7 dhjetor 2017 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i bën fajtorë ndërkombëtarët për mos ndriçimin e vrasjeve poltiike pas luftës në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë’, Lumezi është pyetur edhe lidhur me hetimet rreth vrasjes së Xhemail Mustafës, zëdhënësit e këshilltarit të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Mustafa u vra në nëntor të vitit 2000, afër banesës së tij në Prishtinë. Autorët dhe urdhërdhënësit e vrasjes së tij nuk janë nxjerrë ende para drejtësisë.

Sipas Lumezit, vonesat në hetimet e rastit të vrasjes së Xhemail Mustafës është pasojë e bartjes së dosjes te prokurorët e EULEX-it.

“Unë personalisht e kam shqyrtuar atë dosje derisa kam qenë Kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut. Por, ndërkohë është kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili në atë kohë ka qenë ndërkombëtar që ajo lëndë të transferohet te prokurorët e EULEX-it. Edhe në ditët e sotme ajo lëndë është te prokurorët e EULEX-it”, ka thënë Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit ka thënë se prokurorët që i kanë vonuar hetimet lidhur me këto raste do të duhej të jepnin përgjegjësi dhe ka shtuar se ai ka kërkuar nga prokurorët që rastet e vrasjeve politike t’i trajtojnë me prioritet.

“Mirë do të ishte që për këto raste të kërkohet përgjegjësi nga ata që i kanë pasur këto lëndë dhe e kanë pasur për detyrë t’i hetojnë këto çështje penale. Unë kam kërkuar nga prokurorët vendorë dhe ndërkombëtarë që t’u japin prioritet të gjitha rasteve të vrasjeve të figurave politike e publike. Kam kërkuar që të trajtohen edhe rastet e gazetarëve që kanë ndodhur pas luftës”, ka thënë Lumezi. (r.m.)

Comment

*