Prishtinë, 11 janar 2018 – Personat që bëjnë deklarata publike lidhur me vrasjet e aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet ta bëjnë këtë edhe në Prokurorinë e Shtetit.
Kështu ka deklaruar Kryeprokurori i Republikës, Aleksandër Lumezi, në një prononcim për “Indeksonline”.
Sipas Lumezit, prokuroria do të merret seriozisht me deklaratat publike të cilat mund të ndihmojnë zbardhjen e vrasjeve.
“Ne gjithsesi se do të bëjmë një kërkesë për grumbullimin e informacioneve dhe do t’i dëgjojmë këta persona që po prononcohen publikisht nëse ata kanë informacion i cili na drejton në pistën e hetimeve”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se prokuroria s’ka nevojë të merret me disa prononcime që, sipas tij, kanë për qëllim të çorientojnë sistemin e drejtësisë në rrugët e ndriçimit të rasteve të caktuara, të cilat i ka hetuar UNMIK-u apo EULEX-i.
Por, ai ka theksuar se kushdo që ka informacion të vlefshëm për identifikimin e kryesit të veprës penale është i obliguar të bashkëpunojë me organet e ndjekjes.
“Nëse dikush prej tyre ka informacion lidhur me identitetin e kryesit të veprës penale, mirë kishte me qenë, edhe ligji dhe kushtetuta e obligojnë, që ato informacione t’i paraqesin në Prokurorinë e Shtetit, respektivisht tek organet e ndjekjes”, është shprehur ai. (r.m.)