LVV do të garojë me dy kandidatë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Tiranë, 21 janar 2021 – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Shqipëri ka prezantuar dy kandidatët e saj për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 prill.

LVV do të garojë në vetëm dy zona zgjedhore: në Tiranë dhe në Lezhë.

Në Tiranë do të garojë drejtuesi i LVV-së, Bojken Abazi, ndërsa në Lezhë do të fytet në garë Iliaz Shehu, pedagog dhe aktivist i LVV-së në Shqipëri.

Prezantimi i dy kandidatëve u bë nga ish-këshilltari i ish-kryeministrit Albin Kurti, Elvis Hoxha, në një konferencë për media.

Kandidati Abazi tha se ai dhe Ilaz Shehu do garojnë në zgjedhje si kandidatë të pavarur dhe jo me logon e partisë. Ai tha se tashmë ka nisur edhe mbledhja e firmave të nevojshme për regjistrimin në KQZ.

“Aktivistë të shumtë dhe qytetarë që na përkrahin në këto zgjedhje. Jam i bindur se ky është momenti i duhur. Ne u besojmë atyre dhe i falenderojmë të gjithë që po e çojnë përpara kandidaturën tonë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Qarku i Tiranës është zona zgjedhore që më kanë besuar kolegët, qytetarët dhe aktivistët që kanë nisur dhe grumbullimin e nënshkrimeve për zyrtarizimin e këtyre kandidaturave. Shqipëria është në një krizë shëndetësore, ekonomike institucionale e morale. Paraja kalon tranzit në Shqipëri. Ky kapital përqëndrohet në pak duar këtu në Shqipëri, në disa oligarkë”, tha Abazi.

Vendimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë vjen në një kohën kur në Kosovë ka nisur fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurtit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, Albin Kurti, ka deklaruar se Qendra e Vetëvendosjes në Shqipëri është e pavarur dhe i merr vendimet në mënyrë plotësisht autonome.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri është regjistruar më 11 mars të vitit 2019. Ky subject merr herë pjesë për herë të parë në zgjedhje në zgjedhjet e 25 prillit.

(r.m.)

Comment

*