Maas: Gjermania e mbështet integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Shkup, 13 nëntor 2019 – Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas shprehu të mërkurën në Shkup mbështetjen për procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor si edhe pakënaqësinë e qeverisë gjermane me vendimin e Këshillit Evropian për të mos lejuar hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Zoti Maas la të kuptohej se Gjermania po e shton ndihmën për Maqedoninë e Veriut në këtë drejtim.

Shefi i diplomacisë gjermane tha në Shkup se “mund të keni besim në mbështetjen e Gjermanisë”. Ai, ndërkohë tha se nuk ka një propozim përfundimtar lidhur me kërkesën e Francës mbi reformat e procesit të zgjerimit të BE-së, por tha në një konferencë shtypi tha se nuk pret që propozimi të bëjë ndryshime të mëdha për sa i përket integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Ministri i jashtëm gjerman, Maas vuri në dukje arritjet që ka shënuar Maqedonia e Veriut, sidomos me ndryshmin e emrit, ndërsa theksoi se vendi i tij dëshiron që të merret një vendim për hapjen e bisedimeve me BE-në.

Megjithatë, zoti Maas tha se tema mbi sundimin e ligjit, për shkak të pritshmërive të qytetarëve është e një rëndësie të veçantë. “Kjo është e rëndësishme për të gjithë BE-në dhe pikërisht në këtë fushë duhet të vazhdojnë reformat”, nënvizoi kryediplomati gjerman.

Nga ana tjetër, kolegu i tij maqedonas, Nikolla Dimitrov tha se më mirë do të ishte që vendi i tij dhe Shqipëria të shkonin së bashku, drejt integrimit evropian, por në të kundërtën, vlerësimet duhet të bëhen veç e veç për arritjet e secilit shtet aspirues për integrim në BE, duke besuar në këtë mënyrë se vendi i tij ka bërë jo vetëm reforma madhore por dhe sakrifica për t’iu afruar Bashkimit Evropian. “Më mirë një se asnjë (në BE)”, u shpreh Dimitrov.

Ministri Heiko Maas u prit edhe nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe nga Kryeministri Zoran Zaev.

(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)

Comment

*