Macron bëri bashkë në Paris Hashim Thaçin e Aleksandër Vuçiqin

Paris, 12 nëntor 2019 – Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç u takuan të martën në Paris me ndërmjetësimin e presidentit francez, Emmanuel Macron.

Takimi u zhvillua në margjinat e Forumit për Paqe që po i zhvillon punimet në kryeqytetin e Francës.

Thaçi ka thënë se ai ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Në këtë takim rikonfirmova se Kosova është e gatshme të vazhdojë dialogun në kërkim të një marrëveshjeje për paqe, e cila duhet të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara, por edhe më shumë paqe e stabilitet në tërë rajonin tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook, pas takimit.

Ndërsa Vuçiq ka përsëritur kërkesën për heqjen e tarifës prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, të cilën e ka vënë kusht për rifillimin e dialogut me Kosovën.

“Ne po presim heqjen e tarifës dhe më pas t’i rifillojmë bisedimet”, ka thënë Vuçiq, pas takimit.

Takimi i përbashkët i Thaçit e Vuçiqit me Presidentin francez është zhvilluar në margjinat e Forumit të Paqes që po mbahet në Paris.

Një ditë më parë Thaçi e Vuçiqi kanë pasur takime të ndara me presidentin Macron. Të dy kanë thënë se me presidentin francez kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe për mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis dy vendeve.

Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme për marrëveshje paqesore më Serbinë e cila do të sjellë njohje reciproke të dy vendeve.

“Presidentit Macron ia konfirmova se Kosova është e vullnetshme dhe e gatshme për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila duhet të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Marrëveshja e Paqes garanton më shumë mundësi për zhvillim dhe për jetë më të mirë, si dhe më shumë prosperitet për të gjithë qytetarët tanë. Faleminderit për mbështetjen, president Macron”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ndërkaq, Vuçiq ka përsëritur aspiratën e Serbisë për një zgjidhje “kompromi” me Kosovën.

“Evropa do të presë formimin e një qeverie në Prishtinë. Unë besoj se do t’i ftojë të dyja palët për të biseduar dhe të përpiqen të gjejnë një kompromis. Unë nuk jam i sigurt se do të jetë e lehtë, por presidenti Macron beson në gjithçka që kemi biseduar në Beograd, për domosdoshmërinë e arritjes së një zgjidhjeje kompromisi”, është shprehur Vuçiq.

(Ramadan Muçolli, Illyria)

Comment

*