Madridi do të pezullojë autonominë e Katalonjës

Madrid (Spanjë), 19 tetor 2017 – Qeveria e Spanjës paralajmëroi se të shtunën do të fillojë zbatimin e nenit 155 të Kushtetutës, i cili ia mundëson asaj pezullimin e autonomisë së Katalonjës.

Zyra e kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy, tha se të shtunën do të mbahet mbledhja e posaçme e qeverisë për fillimin e zbatimit të këtij neni.

Paralajmërimi pasoi deklaratat e udhëheqësit të Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili tha se parlamenti i rajonit do të votojë për shpalljen e pavarësisë nga Spanja, nëse qeveria qendrore nuk pajtohet për të biseduar.

Kryeministri Rajoy i kishte dhënë zotit Puidgemont një afat deri të enjten për të qartësuar nëse ai e kishte shpallur pavarësinë, pas referendumit që u mbajt më herët, gjatë këtij muaji.

Zoti Puidgemont e kishte shpallur simbolikisht pavarësinë, por e kishte pezulluar atë në favor të bisedimeve me qeverinë ne Madrid.

Votuesit në Katalonja e mbështetën pavarësinë në referendumin e një tetorit, por në referendumin të cilin qeveria e kryeministrit Rajoy e shpalli ta paligjshëm morën pjesë më pak se gjysma e votuesve të regjistruar. (r.m.)

Comment

*