Madridi kërkon shpërbërjen e qeverisë rajonale të Katalonjës

Madrid (Spanjë), 21 tetor 2017 – Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, kumtoi sot (e shtunë) se Qeveria e Spanjës ka vendosur shpërbërjen e qeverisë rajonale të Katalonjës, dobësimin e kompetencave të parlamentit të saj dhe organizimin e zgjedhjeve të reja në vend.

“Aktivizuam nenin 155, pasi asnjë qeveri, e përsëris, asnjë qeveri e një vendi demokratik nuk mund të pranojë që ligji të injorohet, që ligji të shkilet dhe që ligji të ndryshohet për të imponuar vullnetin e tyre mbi të tjerët”, deklaroi Rajoy, transmeton Zëri i Amerikës.

Sipas tij, vendimi i qeverisë synon rimarrjen nën kontroll të rajonit dhe vendosjen e rregullit.

“Objektivat janë katër: rikthimi i ligjshmërisë, rikthimi në normalitet dhe bashkëekzistenca, vazhdimësia e rimëkëmbjes ekonomike dhe organizimi i zgjedhjeve. Që të rikthehet ligjshmëria, duhet rikthyer zbatimi i Kushtetutës së Spanjës dhe statutit të autonomisë së Katalonjës”, tha Kryeministri Rajoy.

Qeveria spanjolle do të kërkojë nga Senati i Spanjës ta shpërndajë qeverinë rajonale të Katalonjës dhe të marrë vendim për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Vendimi për shpërbërjen e qeverisë rajonale të Katalonjës u mor tri javë pasi rajoni gjysmë autonom i Katalonjës mbajti referendumin për pavarësi nga Spanja, i cili u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës.

Udhëheqësi i Katalonjës, Carles Puigdemont, do të komentojë sot, në mbëmje, vendimin e Madridit.

Ai ka thënë se referendumi i ka dhënë mandat që ta çojë përpara pavarësinë e rajonit.

Puigdemont e ka shpallur simbolikisht pavarësinë e Katalonjës, por e ka pezulluar atë në favor të bisedimeve me Qeverinë në Madrid.

(r.m.)

Comment

*