Majë piramide

Astrit Lulushi

Astrit Lulushi

T’u kthehesh kujtimeve është si të vizitosh një dhomë muzeu. Pra edhe një herë në të kaluarës, kur njeriu jetonte për një copë bukë të ngjyer thellë në frikën e persekutimit që ofronte diktatura e “proletarëve” të hipur në majën e piramidës.
Kujtesa mund të jetë më e dhimbshme nëse kujtohet e gjitha. Për t’u ngushëlluar ose nga bamirësia, njeriu i arsyeshëm këtë dhimbje mundohet ta shohë të pa-anëshme, megjithëse e di se vetëm e vërteta është e tillë. Kujtesa që përjeton nuk krijon hidhërim ose urrejtje. Tani, i ndodhur në kohë tjetër, ai ndjen mëshirë edhe pse humbësi ende nuk e kupton se ka dështuar, se koha e tij nuk kthehet prapë, se idetë e tij janë të rreme. Kur njeriu shpërfill çdo gjë që është moralisht e drejtë dhe e vërtetë ai synon fuqinë e pushtetin duke mos parë padrejtësitë ndaj të tjerëve, ndaj vendit, bëhet i pamoralshëm.
Pushteti i ngjan piramidës Në majën e saj është vendosur një objekt me shumë vlerë. Për ta arritur atë, njeriu që ngjitet sakrifikon të mirën e emrit të tij dhe përlyen çdo gjë të vyer që ka në vetvete. Duke humbur sensin e drejtësisë dhe nderit, ai transformohet, apo ruan pamjen e jashtme ndërsa përbrenda sundohet nga natyra e kafshës. Nëse e shtrembëra mund të bëhet e drejtë për hir të postit, atëherë ç’mund të thuhet për të vërtetën nëse pushteti sundon me të gjitha gjërat e frikshme. Falë kësaj sjelljeje, personi në pushtet ka shumë armiq dhe miq të vërtetë, por vetëm shumë pak miq të devotshëm, thotë Jul Cezari në shënimet e tij. Dhe kush më mirë se ai do ta bënte këtë klasifikim? Sepse tirani meriton vdekjen për atë që është krimi i tij më i madh, padrejtësia ndaj të tjerëve dhe pandershmëria ndaj vetes, dhe nuk duhet gjykuar për krimet e vogla që i bëjnë veprimet e neveritshme të dukshme, të lavdërueshme.

Comment

*