Majlinda Kelmendi e fiton çmimin “Xhudistja më e mirë e sotme”

Budapest (Hungari), 27 gusht 2017 – Xhudistja kosovare Majlinda Kelmendi e ka fituar çmimin prestigjioz “Xhudistja më e mirë e sotme” (Best Female Judoka Today) nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Kampionia olimpike është nderuar me çmimin më të madh në karrierë, të dielën në mbrëmje, në Budapest të Hungarisë, në prag të Kampionatit Botëror në Xhudo.

Botërori nis më 28 gusht dhe zgjat deri më 3 shtator.

Në fjalimin e saj, Kelmendi e ka falënderuar kryetarin e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, për të cilin ka thënë se është mbështetja e tij që i ka mundësuar suksese xhudos kosovare, transmeton Koha.net.

“Nder i madh që të jem këtu. Kam disa fjalë të them. Shpresoj të mos ju pengoj. Fillimisht dua të uroj presidentin për mandatin e ri. Faleminderit që e keni mbështetur Kosovën. Ju jeni arsyeja që Kosova është pranuar në Komitetin Olimpik. Falë jush më është mundësuar të përfaqësoj Kosovën në Rio. Falë jush Kosova e ka medaljen olimpike. Faleminderit nga zemra”, ka thënë ajo.

Kelmendi e ka falënderuar edhe trajnerin e saj, Driton Kuka, ndërsa çmimin e sotëm e ka quajtur si më të madhin në karrierën e saj.

“Falënderim special për njeriun që më ka rritur dhe më ka bërë kampion, trajnerin Driton, vëllezërit Sylën dhe Agronin. Të gjithë e njihni storien time. E kam nisur karrierën në Kosovë. Kam fituar gjithçka. Por, ky çmim sot është ‘Everesti’. Nuk mund të kërkoj më shumë”, ka shtuar ajo.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, para ceremonisë së dorëzimit të çmimit ka thënë se çmimi që e mori sot Majlinda Kelmendi është i rëndësishëm sikurse “Topi i Artë” në futboll. (r.m.)

Comment

*